Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, mund ta zëvendësojë Leonardon në pozitën e drejtorit sportiv të Milanit, pasi që pronarit e kuqezinjve nuk janë të lumtur me punën që po e bën aktualisht Leonardo. Puna e Leonardos në fund të sezonit do të mbikëqyret në detaje nga pronarët e Milanit, kompania Elliot, pasi që disa vendime të tij, si blerja e Gonzalo Higuainin dhe Diego Laxalt, rezultuan të jenë të gabuara, raporton Calcio Mercato.

E ardhmja e Leonardos në Milan varet nga kualifikimi apo jo i klubit në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Momentalisht, Milani renditet në pozitën e pestë, me tre pikë më pak se Atalanta në pozitën e katërt. Pozita e drejtorit sportiv është shumë e rëndësishme për pronarët e Milanit, pasi që ata e duan aty një njeri që do të mundë t’i vërejë lojtarët e talentuar para klubeve të tjera dhe do të mundë t’i bindë ata të vijnë në Milan për shuma më të ulëta parash.

Tani që kompania Elliot e ka identifikuar Leonardon si njërën ndër problemet në Milan, emri i shqiptarit Igli Tare po përmendet nga gazetat italiane, për shkak të punës që ai e ka bërë gjatë viteve të fundit me Lazion. Megjithatë, pronarët e Milanit s’do ta kenë të lehtë ta bindin Taren për ta lënë Lazion, ku shqiptari kishte kaluar kohë edhe gjatë kohës sa ishte futbollist dhe madje ka marrëdhënie shumë të mira edhe me presidentin e klubit, Claudio Lotiton.