Nga Altin Ketro

Ai është djalë i ri, 33 vjeç, që u bë i njohur për publikun e gjerë dy vjet më parë kur në maj të vitit 2017 Partia Demokratike e propozoi si ministër teknik të Drejtësisë, pas marrëveshjes Rama- Basha për qeveri të përbashkët pozitë- opozitë.

Ndërkohë që misioni i ministrave teknikë ishte monitorimi i administratës publike për mos përfshirjen e saj në procesin zgjedhor, Gazbardhi ra më shumë në sy me protagonizmin mbresëlënës për të monitoruar zellshëm punën e paraardhësve të vet në atë ministri. Ishte koha kur ministria e Drejtësisë ishte në preferencat e LSI-së e cila pati rotacionin e tri ministrave në drejtim të saj. Për dy prej tyre, Gazbardhi pati një vëmendje të veçantë. Atëbotë marrëdhëniet PD- LSI ishin të ndera dhe LSI-ja konsiderohej prej liderit Basha si një “organizatë kriminale”.

Lulzim Basha e kishte këtë mendim karshi LSI-së, jo se i kish mbetur hatri se ajo lidhi aleancë me PS-në në vitin 2013, por se LSI-ja pas riardhjes në pushtet i pati si target të preferuar të punësuarit që i përkisnin krahut të PD-së. Nëpërmjet dy formave, presion e joshje, ajo kishte nisur një operacion rekrutimi duke i konvertuar demokratët në lësëistë në këmbim të ruajtjes së vendit të punës. Ata që ishin qëndrestarë dhe nuk i shkelën parimet, e pësuan me largim nga puna.

Kjo vijë sjellje e LSI-së ndaj demokratëve në administratën publike dhe rritja elektorale në dëm të PD-së, kishte ndezur urrejtjen tek lidershipi i PD-së, prandaj ishte detyrë imediate që LSI-ja të goditej ku të mundej, veçanërisht në nivele të larta politike siç ishin ministrat.

Dhe ministër Gazbardhi tregoi vigjilencë në këtë drejtim duke rrëmuar nëpër dokumente dhe midis tyre zbuloi një aferë korruptive në tenderin e 300 byzylykëve elektronikë për mbikqyrjen e të dënuarve me shërbim prove. Në këtë aferë ai doli në konkluzionin se përgjegjësi kishin të dy paraardhësit tij në detyrë, që i përkisnin pikërisht LSI-së. Pa një, pa dy, Gazbardhi e mbajti frymën në organin e akuzës ku denoncoi tenderin dhe ish-ministrat.

Një bravo e madhe për Gazbardhin që e nisi me këmbë të mbarë. Një shpresë e shtuar se më në fund do të kishim një ndëshkim shembullor në sferën e korrupsionit. Prej këtij denoncimi u krijua përshtypja se midis Gazbardhit dhe dy ish-ministrave nuk mund të kishte kurrë paqe, e jo më pikëtakimi e bashkëpunimi. Isha gati të vija bast me këdo, që mali me mal takohen, por Gazbardhin me dy ish-ministrat, kurrë. Kohët ndryshojnë, vitet rrjedhin, interesat politike evoluojnë dhe duke qenë se politika nuk ka shumë moral, Gazbardhin e shohim të takohet dhe bashkëpunojë pikërisht me ata që i denoncoi me aq zell.

Qenia ministër i dha një dorë të mirë për t’u bërë i njohur ndër demokratë dhe këtë e shfrytëzoi për të korrur sukses në zgjedhjen si sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Djalë i ri dhe ambicioz, ndonëse një shtysë të mirë i dha vetë Luli, ai u pa si një vlerë e shtuar për opozitën për të sjellë fytyra të reja e të papërlyera, si dhe për të ofruar një mënyrë ndryshe të artikulimit politik, larg tezave të vjetra e me gjuhë të drunjtë. U njollos paksa kur u përfshi pa kuptim në telenovelën “Babale”, por arriti të dalë shpejt prej saj kur e pa se skenari manipulativ po çmontohej.

Ndërkohë, që kur mori detyrën e sekretarit, nuk ishte parë asnjëherë të sillej si ekstremist, më la shije të keqe reagimi tij tek dera e komisariatit nr.6, teksa bënte deklarata të karakterit emocional kundër drejtorit të policisë Tiranë. Deklarata të tilla si: “Nuk e njohim më institucionin e drejtorit të policisë Tiranë; se ai është një kriminel në krye të Policisë së Shtetit; se ai do të marrë përgjigje të merituar personale”, nuk e nderojnë as si ish-ministër, as si funksionar i lartë politik i opozitës.

Gazbardh! Mos e merr kaq personale me një drejtues policie që kryen detyrën ndaj huliganëve tuaj politikë të cilët duan të pengojnë kryeministrin e Shqipërisë të lëvizë lirshëm e të vizitojë bizneset. Kjo historia ku politikanëve vetja iu duket si engjëj dhe policia si djall, nuk është e re. Ka ndodhur tash 30 vjet në politikën shqiptare, në varësi të pozicioneve ku kanë qenë palët.

Ti i tradhëtove demokratët e persekutuar nga LSI-ja, ndaj e humbe të drejtën e të bërit moral, që kur u rreshtove në të njëjtën llogore me ata që vetë i denoncove. Ti e humbe edhe mundësinë për të qenë ai zëri ndryshe, me profil të ri, që do të përmirësonte sadopak imazhin e opozitës. Ju bëri si vetja Berisha, me gjuhën e tij kërcënuese e të vrazhdë dhe, ashtu si Luli, edhe ti re në atë kurth. Për zhgënjimin e atyre që shpresuan tek ti modelin evropian të liderit. Sa keq!