Muaji i parë i këtij viti do të rikthejë në ekranin shqiptar një tjetër emision të ndjekur veçanërisht nga brezi më i ri, fëmijët. Ashtu siç ishte paralajmëruar nga 2018-ta, “The Voice Kids 3” do të rikthehet këtë vit me ndryshime, që nisin nga moderatori te trajnerët e përzgjedhur.

Ndërsa muaj më parë u zbulua se programi televiziv nuk do të drejtohet më nga Ledion Liço, por nga Dojna Mema, nga ana tjetër Eneda Tarifa, e cila ishte në pozicionin e trajneres, u zëvendësua nga Arilena Ara.

Kjo e fundit do të jetë e vendosur në një prej katër kolltukëve, krah Miriam Canit, Aleksandër dhe Renis Gjokës. Ndërsa audicionet e fshehta kanë përfunduar tashmë mësohet edhe data kur do të nisë transmetimi i tij në “Top Channel”. Dhe është pikërisht e premtja e 18 janarit!Këtë gjë e bën të ditur faqja zyrtare e emisionit në rrjetet sociale, e cila publikon edhe promon e “The Voice Kids 3” me katër trajnerët dhe moderatoren.