Nga Alfred Peza

“Njerëzit mësojnë ti duan zinxhirët që u vihen atyre”. Kjo shprehje e “Game of Thrones” ishte e vërtetë gjikund, sidomos ndër popujt e “Mbretërive” të varfëra, me histori pushtimesh, copëzimesh dhe luftrash të pafund, për “Fronin e Shpatave”. Por, ajo dukej mbi të gjitha, sikur tingëllonte e shkruar enkas për shqiptarët dhe Botën e tyre në Ballkan.

Nëpër tokën e tyre kishin kaluar me radhë që nga antikiteti e deri në kohët tona, pothuajse të gjitha ushtritë më të mëdha të kohës. Nga Perandoria Romake tek ajo Bizantine. Nga Perandoria Osmane tek austro- hungarezët, francezët, italianët, gjermanët, bullgarët, grekët, serbët, malazezët, jugosllavët, rusët e kinezët.
Pas rënies së Murit të Berlinit dhe rrëzimit të Perdes së Hekurt që ndante Europën Lindore nga ajo Perendimore, shqiptarët u çliruan për here të pare, nga këta zinxhirë. E në vend që ti gëzoheshin si rrallëkush lirisë, filluan të silleshin, sikur nuk dinin se çfarë të bënin me të.

U kishte munguar. Ia kishin mohuar. Ia kishin rrëmbyer. I kishin privuar. Ndaj shumë e shumë prej tyre pafundësisht në histori, as nuk e kishin provuar, e jo më ta kishin shijuar e të ishin mësuar me të për ta shndërruar në një mënyrë jetese. Ndaj, e pranonin gjikund çmimin e saj, kudo gjetkë ku shtegtonin. Përveçse kur riktheheshin sërisht, në vendin e tyre.
Fajësonin për këtë qeveritë që nuk po ua ndërtonin edhe atyre si gjitha “Mbretërive” të tjera, sistemin e fitimit, ruajtjes dhe garantimit të lirisë. Por, askush prej tyre, nuk ishte gati që ta paguante i pari vetë, çmimin e saj. Donin që për këtë, të paguanin gjithë të tjerët. Por, jo ai vetë. Ndaj, kjo i mbante të ngërthyer të gjithë si të zënë në çark, brenda një rrjete gjigande. Brenda saj ata shqyheshin, kafshoheshin e putheshin me njëri- tjetrin. Pa dalë dot kurrë, deri më sot, prej saj.

Kjo me sa duket ishte arësyeja se përse mendjet shqiptare më të ndritura, shpirtrat më të dlirët, ambicjet më superbe, talentet më të mëdha dhe masa që nuk kishte aftësitë e mbijetesës në këtë xhungël, të largohej e të largohej. Duke shtegëtuar historikisht, nëpër Mbretëritë e tjera. Nuk gjeje dot sot asnjë kontinent, gadishull, shtet të botës e deri ishull të banuar mbi këtë tokë, ku nuk do të gjeje të punonte e jetojë, qoftë edhe një shqiptar të vetëm.
Kur iknin të gjithë e mallkonin këtë tokë. Në fillim madje edhe e mohonin prej nga kishin ikur. Më pas niste e i digjte dalëngadalë përbrenda, një mall i përvëluar e i pashuar. Derisa bëheshin dikushi atje ku kishin shkuar. Për të vdekur të gjithë si shqiptarë të mire. Me një brengë më të madhe se qivuri dhe me një amanet të patretur kurrë.

Ndaj kujtdo ndër dy shqiptarët jashtë “Mbretërisë Shqiptare” në Ballkan, mund ti ndodhte ky dialog, si në “Game of Thrones”: – “Nuk jam i sigurt nëse duhet të kthehesh në Uesterios. Nuk mendoj se do të jesh i sigurtë atje.” – “Më duhet të kthehem edhe njëherë të vetme. Duhet të vdes në këtë të çuditshëm, ashtu si dhe ti”.
Të gjitha këto i kishin ardhur ndërmend Edi Ramës, rrugës për në për takimin e shumpritur me “Mëkëmëbësin e Zotit mbi tokë”, në rezidencën e tij të blinduar në rrugën e Elbasanit, në Tiranë. Vetëm pasi kishte dalë nga atje, e kishte kuptuar se çdo të thoshte që të merje mbi vete, mërinë e Zotave. Kur ishte përmendur emri i Adriatik Llallës, një zë nga prapa shpinës së “Mëkëmbësit”, kishte kumbuar sikur të dilte nga shpina e dragoit: “Nuk do ta lejojmë që nderi ynë, të vihet në pikëpyetje, nga një trap”.

Kjo frazë e sagës epike, ishte pasuar nga disa ku e ku më të tmerrshme, sa më lart që ishte ngritur steka e emrave të analizuar, në hierarkinë e “Mbretërisë Shqiptare” të Perëndimit. Ky ishte momenti kur kishte kuptuar për herë të parë në jetë, se loja e fatit të derisotëm për këtë vend, kishte mbaruar këtu. E se pas kësaj, Brenda shekullit të parë të mijëvjeçarit të ri, do të ishte ndërtuar njëherë e përgjithmonë, mekanizmi i pakthyeshëm i një fillimi të ri.
“Tani ndodhesh në një super lojë. Dhe kjo super lojë është e frikshme për ty”,- ishte fraza që herë i bëhej sikur e kishte dëgjuar në “Game of Thrones” e herë nga goja e “Mëkëmbësit” në momentin e ndarjes. E sigurtë ishte, se ai ishte ndjerë aq i çliruar nga e gjitha kjo, sa me një qetësi të frikshme ia kishte kthyer:

“Mbretërimi im sapo ka filluar”.

Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!

SHENIM: Ky serial vijon çdo natë, nga 1 maji deri më 30 Qershor 2019.