“GAME OF THONË”- (Edicioni I-rë, Seria 4)

Shkaku i “Luftës së Madhe” për “Fronin e Shpatave”!

Nga Alfred PEZA/

Luftrat kanë gjithmonë të njëjtin shkak, pavarësisht sebepeve që mund të gjenden, për secilën prej tyre. Kështu ka ndodhur që nga kohët antike e deri në ditët tona. Në Athinën e lashtë, pavarësisht se Lufta e Trojës kishte të njëjtin shkak që kanë të gjitha pushtimet, sebepi u gjend tek një femër. Tek Helena e bukur, pasi Paridi e rrëmbeu nga burri i saj, Menelau.

Jemi në Ballkan, në truallin ku prodhohet ende më shumë histori nga sa kemi mundësi që të konsumojmë. Ndaj edhe sot por edhe një shekull më parë vjen një tjetër shembull. Në 28 qershorin e 1914, në Sarajevë do të vritej Franc Ferdinandi, Arkiduka i Austrisë ose e thënë ndryshe, Princi trashëgimtar i Austro-Hungarisë.

Nëse i besojmë Hari Silajxhiç tek “Shqipëria dhe Shqiptarët në arkivat e Uashingtonit”, kjo vrasje shërbeu si sebep për fillimin e Luftës I-rë Botërore. Por në fakt, sipas tij shkaku i vërtetë ishte se Fuqitë e Mëdha po kërkonin që ti jepnin Serbisë, një dalje në detin Adriatik.

Edhe për “Luftën e Madhe” të 2019 në “Mbretërinë Perendimore” të Ballkanit, ishte shumë e thjeshtë që të gjeje një sebep për të qenë. Sa më parimor që të duket sebepi, aq më i madh halli i atyre që e shprehin atë. E për rrjedhohë, edhe më i thellë shkaku real që fshihet pas tij. Ndaj, ai nuk ishte aspak i vështirë për tu gjetur. Përkundrazi!

Këtë radhë ose nga nxitimi, ose nga vetbesimi i tepruar, ose nga mendjelehtësia sebepi u gjet shumë më i dobët nga sa mund të mendohej. Pas një viti e gjysëm, do të thuhej se zgjedhjet që kishin kaluar nuk kishin qenë të lira dhe se “Froni i Shpatave” ishte zënë me hile. Mjaftonin për këtë disa shkrime, thashetheme dhe debate për ta përhapur. Pas kësaj, “shkaku” konsiderohej i mirëqenë.

Për ta rivendosur “padrejtësinë” në vend, ato dhanë vetë dy alternative: Ose me ne, ose kundër nesh, rrugë ë mesme nuk kishte. Që do të thoshte” Ose Edi Rama duhet ta lëshonte “Fronin…” me dëshirë, ose “Lufta e Madhe” ishte e paevitueshme. Pas këtij sebepi, pakkush e dinte në fillim, se po fshihej një shkak i frikshëm. Në kampin e “3 Mbretërve” opozitarë në Shqipëri, dukej sikur “Army of the dead”, kishte shpallur luftën.

“Zoti” mbi tokë dhe që shqiptarët e adhuronin si të tillë, në mesin e janarit, kishte dhënë mesazhin më të qartë e të frikshëm që nga dita e rivendosjes së marrëdhieve të ndërprera prej gjysëm shekulli. Reforma e re e drejtësisë, rrezikonte ambicjen e tyre të pashuar dhe automatikisht, dukej sikur e favorizonte akoma edhe më shumë zotëruesin e “Fronit të Shpatave”.

Ishte kollaj që ti bëjë bashkë “3 mbretërit” opozitarë kundër Fronmbajtësit. Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën (+Monika Kryemadhin) më shumë sesa kauza, i bashkonte karakteri. Mënyra sesi ata kishin mbretëruar në kohë të ndryshme, kishte qenë pothuajse e njëjtë. Filozofia e tyre edhe këtë radhë dukej sikur bazohej tek shprehja e “Game of Thrones”: “Kaosi nuk është një rënie në gropë, por një shkallë për tu ngjitur më lart”!

Ndaj, ata skishin asgjë për të humbur. Vetëm në fitofshin nga kaosi që kërkonin të mbillnin. Ndërsa nga lartësia e “Fronit…” ku qëndronte “i qetë, por i vendosur” këtë radhë, Edi Rama dukej sikur përsëriste frazën e sagës epike: “Nëse mendoni se ky do të jetë fundi juaj i lumtur, me sa duket nuk e paskeni parë atë me vëmendje!”

Kaq për sonte…

Ju çoj të fala të gjithëve!