Topi do të rrotullohet përsëri në stadiumet shqiptare duke filluar nga dita e nesërme, sipas kalendarit të parashikuar me dy nga ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Pa mbaruar mirë mbledhja e organizuar për të zgjidhur krizën në futbollin shqiptar me përfaqësues të shtetit, klubet e Superiores iu lajmëruan që të bëheshin gati për ndeshjet e nesërme pasi do të luhej rregullisht sipas planit, sigurisht me gjyqtarë.

Ky ishte një lajm i pritur me shumë dëshirë nga të gjithë, pasi pakkujt i ka pëlqyer kjo fundjavë në heshtje. Por ajo që duket e pakuptimtë në këtë mes është heshtja e Shoqatës së Arbitrave, ajo e cila u bë shkas për ndalimin e futbollit në vendin tonë me bojkotin e anëtarëve të saj.

Shoqata nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar, për të treguar qoftë edhe për sy e faqe se krihte qenë aj që kishte vendosur rikthimin në aktivitete, ashtu siç kishte vendosur edhe ndërprerjen e tyre, shkruan Vipsport.

Një situatë e cila konfirmon edhe një herë se në fakt shoqata e pavarur ka vepruar nën urdhrin e FSHF-së dhe vepron plotësisht nën udhëzimet e saj.

Nuk është aspak rastësi se i vetmi konfirmim publik për kthimin e aktiviteteve sportive, ishte ai i zyrës për shtyp të FSHF-së që njoftoi mediat nëpërmjet një mesazhi pak pas orës 19:00 se nesër do të luheshin ndeshjet e Kupës së Shqipërisë sipas kalendarit, ndërsa Sektori i Garave kishte lajmëruar që paradite klubet për një gjë të tillë.