Kryeministria sot ka marrë një pamje krejtësisht tjetër. Sot si asnjëherë tjetër është e rrethuar nga dhjetëra makina të bukura retro. Një rikthim pas në kohë, që të kujton Shqipërinë e vjetër, epokat historike…Brenda pak minutash ose orësh, aq sa mund të zgjasë ai qëndrim, të bën të ndihesh plotësisht banor i asaj periudhe.

Kjo nismë është ndërmarrë nga Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në një prononcim për Report Tv, Gonxhja tha se kjo nismë shërben për të nxjerrë nga ‘pluhuri’ këtë sektor, i cili sipas tij ka një potencial të madh ekonomik, turistik, por edhe historik.

“Tirana dhe Kryeministria është sot një qytet normal që i përket të gjithëve, që brenda gjithë jetës së saj, ka dhe botën e koleksionistëve. Sot në një takim historik mbledhur pranë kryeministrisë, ky sektor nuk i ka pasur të drejtat që duhet. Për të shprehur këtë potencial historik, ekonomik formalizohet në draft akte ligjore. Ta nxjerrim këtë sektor nga pluhuri dhe t’i japim këtë zyrtarizim dhe t’i japim atë vëmendje që meriton”, tha Gonxhja.

Këto makina vijnë nga vende dhe epoka të ndryshme historike, por që janë në pronësi të koleksionistëve shqiptar. Një prej tyre është edhe Elis Bodinaku, i cili disponon plot 21 makina retro. Në një shëtitje të shkurtër, në oborrin e kryeministrisë me gazetaren Klesiana Omeri ku janë parkuar të gjitha makinat, Bodinaku është ndalur të jap disa detaje më shumë për disa prej tyre.

“Makinat janë hobi im. kam 21 të koleksionuara. Janë makina të blera nga jashtë dhe të sjella në Shqipëri. Kam një makinë me të cilin janë luajtur filma në Hollywood. Nuk ka makina që i përkasin Shqipërisë, pasi në shqiptarët kemi diçka të keqe, që çdo gjë të vjetër e shkatërrojmë. Një tjetër problem këtu në Shqipëri është edhe mungesa e profesionistëve që mund të bëjnë rikonstruktimin. Në biznesin tim, unë kam punonjës nga Turiqia”, tha Bodinaku.

Interesi i qytetarëve ka qenë shumë i madh. “Unë kam jetuar prej 18 vitesh në Amerikë, është kënaqësi për të gjithë, edhe nga brezat e rinj, por edhe për nostalgji”, tha një vizitor.