Thellimi i bashkëpunimit mes dy agjencive ishte në qendër të takimit të sotëm mes drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi dhe homologut të saj të agjencisë më të madhe gjermane të lajmeve, DPA, Peter Kropsch.

Kjo është vizita e parë e një drejtori të agjencisë gjermane të lajmeve, DPA në ambientet e ATSH-së.

Peter Kropsch mban aktualisht edhe postin e presidentit të Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

Në fjalën e saj, Krasniqi kujtoi se bashkëpunimi mes dy agjencive vazhdon që prej 25 vitesh dhe se ka rezultuar dobiprurës për të dyja palët.

Krasniqi bëri një pasqyrë të aktivitetit të përditshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare duke u përqendruar sidomos në shërbimet e ofruara nga ATSH.

Krasniqi theksoi se ATSH ka shtuar gamën e informimit të opinionit publik me zgjerimin e shërbimeve shtesë si foto, video dhe intervista, çka ka rritur ndjeshëm interesimin e lexuesve. Shërbimi me video, reportazhe dhe intervista përfshijnë sidomos sektorët e ekonomisë, turizmit, agroturizmit dhe kulturës.

Drejtori i përgjithshëm i DPA-së, Peter Kropsch u interesua për mënyrën e funksionimit të ATSH-së, sidomos për marrëdhëniet e saj me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të agjencisë.

Në mënyrë të veçantë, ai u interesua për shërbimin video dhe foto nga fushat e ekonomisë dhe turizmit që ofron ATSH.

Dy drejtuesit e agjencive më pas diskutuan për shkëmbimin e përvojave mes tyre që do të arrihet mes thellimit të bashkëpunimit që ka të bëjë me sektorët e fotografisë dhe videos, që sipas tyre rezultojnë të jenë shumë të dobishme për publikun.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e trajnimit të gazetarëve, ku agjencia gjermane ka një rol të rëndësishëm në nivel europian.