Të shtunën në mbrëmje, Xhaka luajti përkrah yjeve dhe ish-yjeve të futbollit dhe personaliteteve të ndryshme shqiptare në një ndeshje bamirësie në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë në 20-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit.

Ylli i Zvicrës dhe i Arsenalit pohon se përkrahja që ia japin njerëzit nga Kosova e bën atë të jetë më i motivuar dhe të punojë me më zell dhe t’i tregojë botës se nga i ka rrënjët.

26-vjeçari, i lindur në Basel të Zvicrës, tha se ishte emocion i papërjetuar për të luante në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në vendnisjen e prindërve të tij.

Prindërit e Xhakës kishin emigruar në Zvicër në vitin 1990, ku u linden Taulanti në vitin 1991 dhe 18 muaj më pas Graniti.

“Nder dhe privilegj, kur feston me stadiumin plotë 20-të vjetorin e çlirimit të Prishtinës, vendlindjes së prindërve të mi. Vërtetë isha i emocionuar si kurrë më parë, pasi që po zhvilloja ndeshjen në stadiumin që mban emrin e legjendës ‘Fadil Vokrri’, po ashtu përkrahja që marr nga Kosova ime më jep motiv dhe forcë të punoj e ku do që jam të tregoj se nga i kemi rrënjët”, shkroi Xhaka në llogarinë e vet zyrtare në rrjetin social Facebook.

Xhaka pohon se ndihet i plotësuar nga përkrahja dhe dashuria që kosovarë ia kanë shfaqur.

“Ju falënderoj të gjithëve, që ishit të pranishëm, dashnia dhe përkrahja juaj më ka mbushur zemrën duke mos u kursyer asnjëherë që të jem mesin tuaj. I juaji, GX34”, shtoi ai.