Dy ditë para vendimit final për hapjen ose jo të negociatave, raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein, raportuesja për Kosovën Tanja Fajon, eurodeputeti Kukan, Monica Macovei dhe zyrtarë të tjerë të Brukselit kërkojnë nga Bashkimi Europian që të hapin negociatat për Tiranën e Shkupin dhe të liberalizojnë vizat për Kosovën. Report Tv ka siguruar letrën që i është dërguar presidentit të Këshillit Europian Tusk. Zyrtarët e BE kërkojnë që liderët të marrin një vendim pro zgjerimit të unionit në Ballkanin Perëndimor, që nis me hapjen e negociatave.

“Futja e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian prodhon stabilitet dhe paqe në Europën. Vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë sinjal pozitiv nga BE. Sinjalet pozitive ndihmojnë ndërtimin e shteteve moderne. Ne kërkojmë nga liderët e BE përkushtimin ndaj Ballkanit. Këshilli i BE duhet të çelë negociatat me Tiranën dhe Shkupin. BE duhet të jetë një partner i besueshëm për Ballkanin Perëndimor. Kushtet e vendosura këtyre vendeve janë përmbushur. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është patjetër në Bashkimin Europian. Rruga drejt BE është një garanci për popujt e 6 vendeve të Ballkanit. Europa nuk duhet të zhgënjejë vendet e Ballkanit”, thuhet ne letren dërguar Tusk.

Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të merret në datë 28 qershor, ndërsa deri tani parlamenti holandez ka votuar kundër Shqipërisë, Gjermania është pro por me disa kushte, ndërsa Franca ende nuk është shprehur përfundimisht. Presidenti Macron është shprehur më parë se BE duhet të reformohet para se të zgjerohet. Megjithatë vendimi final do të merret pas dy ditësh në Bruksel.