ALFRED PEZA/ Shumë media kanë botuar sot një deklaratë të Kryetarit të PD, Lulzim Basha,duke u fokusuar tek dy mesazhe të tij:

Së pari, se zgjedhje më 30 qershor pa opozitën nuk ka.

Së dyti, se sondazhet e nxirrkan PD parti të parë dhe opozitën, fituese.

Bukur.

Për një moment le ta pranojmë se Lulzim Basha ka të drejtë kur thotë se “zgjedhje palo-zgjedhje, zgjedhje fallco pa opozitën nuk ka për të pasur.”

Le të pranojmë edhe se ai ka të drejtë kur thotë se “të gjitha matjet dhe studimet e opinionit publik tregojnë sot, se ne, jo vetëm jemi forca e parë politike në vend, por gëzojmë besimin e shqiptarëve”.

Çështja është se si zgjidhet kjo punë në një vend demokratik? Si dhe kush e përcakton fituesin dhe humbësin? Atë që qeveris dhe atë që duhet të dali në opozitë? A përcaktohet kjo me sondazhe dhe nga mediat? Apo me zgjedhje dhe nga qytetarët shqiptarë me votë?

Nëse i ke sondazhet e sakta dhe je forcë e parë, atëherë ti më shumë se kushdo tjetër duhet të jesh më i interesuari, që me garancitë e duhura, të futesh në zgjedhje dhe të rikthehesh në pushtet.

Ndaj ndaje mendjen z. Basha: Ose je fitues dhe hyn në zgjedhje për ta çertifikuar këtë realitet me votë. Ose je humbës dhe ndaj i ikën e ke frikë nga zgjedhjet. Rrugë të mesme nuk ka.

Vetëm PD-së dhe LSI-së mund ti ndodhë në botëm demokratike që edhe të jenë të parët, por edhe duan të qëndrojë në opozitë me çdo çmim. A thua është vërtetë kjo arësyeja reale, se përse dolën nga sistemi dhe nuk duan të futen në zgjedhje?!

Hej çfarë humori i zi.

Edhe duan ta rrëzojnë me fjalë Edi Ramën, por edhe duan ta mbajnë me zor me vepra, Kryeministër. Keni parë e dëgjuar ndonjëherë kështu Ju?!!!