Lëvizja e Ditmir Bushatit nga ministër i Europës dhe Punëve të Jashtme s’është as për të ndryshuar politikën e jashtme, as se kam pakënaqësi për mënyrën sesi ai ka ndjekur vijën e politikës së jashtme, por për t’i dhënë një shtysë të re gjithë qeverisë dhe dikastereve për të ecur me një qeveri të re.

Kështu deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Zonë e lirë“. I pyetur nëse ka marrë një letër nga Këshilli i Ambasadorëve të huaj në Shqipëri, kryeministri Rama tha se “ke gabim nuk ka mundësi që ambasadorët e huaj të kenë bërë një letër, sepse do e kisha marrë unë”.

“Jam 100% i sigurt do ma kishin thënë mua”, theksoi Rama duke shtuar se “përse e kam lëvizur Ditmir Bushatin, e kam thënë publikisht. E kam lëvizur Ditmir Bushatin bashkë me gjithë ministrat e tjerë që kanë 5 vjet e gjysmë për të gjithë arsyet që i kam thënë publikisht”.

Kreu i qeverisë tha se “Ditmir Bushati dhe të tjerët do të vijojnë punën nëpër qarqe, sepse ne do të fitojmë prapë zgjedhjet e qershorit dhe do të fitojmë zgjedhjet e 2021”./