Do të startojë në orën 22:00 në “Marakana” të Rio De Zhanieros, finalja e Kupës së Amerikës, mes Brazilit vendas dhe Perusë.

Një finale disi e paparashikuar, duke pasur parasysh disnivelet që kanë këto 2 kombëtares. “Seleçao” do të kërkojë të fitojë trofeun e 9-të në historinë e këtij turneu, teksa ka shansin e artë për të vendosur një rekord të rrallë, duke u bërë fituesi i parë i Kupës së Amerikës, pa pësuar asnjë gol të vetëm.

Për sa i përket formacioneve, trajneri Tite, nuk ka surprizuar, duke i besuar sulmin katërshës, Kutinjo-Everton-Gabriel Zhezus dhe Firminjo.Nga ana tjetër, trajneri i Perusë, Gareca, do të tentojë ta çojë deri në fund këtë ëndërr përrallore, duke hedhur në fushë formacionin më të mirë të mundshëm.

Kujtojmë që Brazili dhe Peruja ishin së bashku në Grupin A, teksa në përballjen me njëra-tjetrën, brazilianët triumfuan me rezultatin e thellë 5-0.