Data 28 maj i vitit 1996 u fut në histori për shkak të dhunës që qeveria e asaj kohe ushtroi ndaj shumë personaliteteve socialiste sepse kundërshtuan procesin zgjedhor. Rreth kësaj ngjarjeje foli dje ish-kryetarit i Shërbimit Informativ Kombëtar (sot SHISH), Fatos Klosi.

Gjatë një interviste për gazetën “Sot”, ai deklaroi se urdhri për të dhunuar opozitën socialiste në 1996 u dha nga Sali Berisha. Sipas Klosit, presidenti i asaj kohe e dinte fort mirë se do t’i humbiste zgjedhjet dhe kjo gjë e frikësonte, nuk dëshironte të humbte pushtet dhe reputacionin e mirë që kishte krijuar.

Teksa 23 vite më pas vendi po përjeton sërish një krizë politike dhe Sali Berisha kërcënon vazhdimisht me mosbindje civile, Klosi shprehet se këto thirrje të tijat vijnë si pasojë e frikës që ai ka reforma në drejtësi.

Për ish-kreun e SHIK, Berisha kërkon që vendi të jetë rrëmujë me qëllim që të pengohet zbatimi i reformës dhe të mos japë llogari për mëkatet e kryera ndër vite.

Në vijim të intervistës, Klosi foli edhe për situatën aktuale politike. Ai pret që palët politike të arrijnë një marrëveshje. Fatos Klosi shtoi se protesta e të shtunës e opozitës ishte paqësore për shkak të presionit që ushtruan ndërkombëtarët.

Sa i takon debatit mes Sali Berishës dhe Hashim Thaçit, ai theksoi se ish-kryeministri asnjëherë nuk e ka dashur të mirën e Kosovës, ndërsa dha edhe shembuj që sipas tij e ilustrojnë diçka të tillë.

-Opozita ka vijuar me protestat e ditët e fundit, ndërsa nga ana tjetër kryeministri Edi Rama i ka shtrirë dorën e dialogut kryetarit të PD, Lulzim Basha. Sipas jush, a do të ketë një marrëveshje të dytë politike Rama-Basha?

Unë shpresoj. Me të dhënat e deritanishme nuk e mendoj dot nëse do të ndodhë apo jo. Pse? Sepse kryeministri deri tani po bën shumë oferta, ndërkohë që andej nga kampi tjetër është një situatë e papranueshme sipas tyre. Ofertat e kryeministrit i quajnë të papranueshme dhe kanë vënë konditën që dialog dhe bisedime do të ketë vetëm pa kryeministrin. Kështu që, për kaq sa është thënë, duket si e pamundur. Megjithatë unë shpresoj dhe kam bindjen që do të zgjidhet, sigurisht edhe me këmbënguljen e ndërkombëtarëve. Sepse nuk është hera e parë. Kemi provuar situata të ngjashme dhe në fund pastaj gjithmonë janë zgjidhur.

-Kryeministri në letrat e tij i drejtohet vetëm Lulzim Bashës dhe jo kryetares së LSI, Monika Kryemadhi. Mendoni se Rama po e mënjanon LSI nga një pakt i mundshëm?

PD është partia më e madhe opozitare dhe mbase e bën pak qëllimshëm. Partia tjetër, LSI në dhjetë vjetët e fundit ka qenë tetë vjet në pushtet. Kështu që praktikisht ajo nuk ka nga kush ankohet. Ka qenë pjesë e pushtetit. Kështu që të gjitha ato që thuhen sot janë thjesht propagandë për të. Mbase edhe për këtë arsye Rama nuk i drejtohet LSI, por më shumë them që qëndron arsyeja se Basha është ai që është deklaruar si kryetar i opozitës së bashkuar. Dhe i lihet në dorë atij.

-Të shtunën u zhvillua një protestë tjetër, por ndryshe nga tubimet e mëparshme, ajo ishte paqësore. A u tërhoqën Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi nga aktet e dhunës pas presionit të faktorit ndërkombëtar?

Absolutisht që ishte presioni i ndërkombëtarëve. Kjo nuk ka pikë dyshimi. Të gjithë ndërkombëtarët kishin deklaruar që në protestat e mëparshme ka patur dhunë dhe që ata nuk e mbështesin protestën e dhunshme. U bë kjo protestë për të demonstruar që ata e kanë nën kontroll situatën, po të thonë shefat që s’ka dhunë, nuk ka dhunë. Kjo do të thotë që kanë qenë ata herët e shkuara që kanë thënë që bëni dhunë. Nëse ti arrin dhe komandon dhunën, atëherë ti e paske bërë. Rrjedhimisht ka qenë me urdhër nga liderët e opozitës. Por e rëndësishme është që ata dhanë këtë mesazh që protestat mund të jenë edhe paqësore. Është e domosdoshme para se të hyhet në bisedime, nuk mund të shkohet përmes protestave të dhunshme.

Do ketë një afrim, një zbutje që vjen ngadalë-ngadalë, nuk bëhet përnjëherë. Opozita do të protestojë edhe të dielën dhe shpresoj që edhe ajo të jetë paqësore sepse unë besoj se pas tubimit të së shtunës nuk shkon asgjë e dhunshme më. Sepse është ky arsyetim që bëra unë: Ata dhunën e komandojnë dhe nuk mund të justifikohen më që dhunën e bën populli. Madje ata nuk kanë pranuar që e drejtojnë ata protestën, është populli që na drejton neve, por dihet që kur mbyllet protesta vendos Basha. Ai i drejton për tek oborri i selisë dhe iu mban një fjalim programatik pastaj. Problemi është që unë e quaj të zorshme tani që të përsëriten protestat e dhunshme. Sepse me të drejtën e Zotit, të gjithë, jo vetëm pozita këtu, por edhe partnerët ndërkombëtarë, që unë jam i sigurt që kanë qenë ata që e kanë çuar në një protestë jo të dhunshme opozitën, sigurisht kanë të drejtën të thonë: Ore jeni në vete?

-I vetmi që vijoi kërcënimet edhe të shtunën ishte ish-kryeministri Sali Berisha. Edhe në një intervistë televizive ai deklaroi vendi do të shkojë drejt një përplasjeje civile në 30 qershor. Si i shihni ju kërcënimet e tij? Sa e mundur është që të ketë përplasje civile në ditën e zgjedhjeve?

Saliu nuk është më i rëndësishëm. Ai është i rëndësishëm sepse ka njerëz që e dëgjojnë akoma, sigurisht nuk mund të them që nuk është i rëndësishëm fare, por zyrtarisht nuk është. Zyrtarisht kushdo që do të bisedojë me Partinë Demokratike, do të bisedojë me Lulzim Bashën dhe me ndonjë tjetër që do të marrë Basha me vete, por jo me Berishën. Kështu që Berisha e vuan atë që nuk do të jetë në bisedime dhe për këtë arsye vazhdon lojën e vet. Gati-gati më duket sikur vërtetë kanë të drejtë ata që thonë se ai po përpiqet vetëm të bëjë sherr në mënyrë që njerëzit të merren me sherrin dhe jo me problemet midis të cilave është edhe problemi i familjes Berisha. Mosbindja civile në 30 qershor siç kërcënon ai është e pamundur të realizohet. Shqiptarët nuk janë aq budallenj. Ju e patë që në protestën e fundit pjesëmarrja e qytetarëve ishte më e ulët.

Pra, janë militantët ata që po marrin pjesë tani në protesta. Njerëzit e zakonshëm u lodhën nga këto protesta. Kështu që janë militantët ata që po marrin pjesë. Por në protestë edhe mund të dalin njerëzit, mirëpo të shkosh të bësh sherr që të bëhet Luli kryeministër, nuk ma merr mendja. Nuk është kaq kollaj. Nuk rrezikon më njeri. Lulin e kemi pasur në 12 vjetët e fundit në pushtet. Ka qenë një herë si ministër i Brendshëm, një herë si kryetar bashkie, një herë si ministër i Jashtëm. Kështu që është provuar Luli. Ai ka gjynahet e forta të Rrugës së Kombit, të vrasjeve në bulevard, të paktit që u hodh poshtë me grekët për detin. D.m.th ai ka ca ngjarje vërtetë të forta, Rruga e Kombit ka shifra të forta fare.

Edhe pse ishte kryeministër Berisha, aty ka shkelje skandaloze. Është bërë pa projekt fillestar, pa tender, pa asgjë. Janë shkelje të rënda. Është një aferë në kuptimin e plotë të fjalës. Por edhe vrasjet në bulevard janë një nga ngjarjet më të rënda të shumë viteve të fundit. Paktin me Greqinë ja hodhën poshtë për fat të mirë. Edhe Luli nuk është ndonjë gjë që nuk është provuar dhe që njerëzit të rendin pas tij për ta mbështetur. Militantët gjithmonë janë njerëz që shpresojnë që përmes militantizmit të tyre të përfitojnë diçka. Por populli nuk pret kurrë që të përfitojë prej tyre. Populli do që të ketë qetësi, të ketë një qeveri të mirë që ta qeverisë drejt këtë vend. Këto janë pretendimet e popullit. Militantët kanë pretendimet e tyre.

-Sali Berisha duket se nuk e do një marrëveshje të dytë Rama-Basha. Vazhdimisht i çon sinjale liderit demokrat për të mos u ulur në tryezë me kryeministrin. Pse ky qëndrim i tiji?

Sigurisht që nuk e do, ai nuk do asnjë marrëveshje në të mirë të vendit dhe që prodhon zgjidhje. Unë ta thashë, unë po krijoj bindjen avash-avash që ai po kërkon që ky vend të jetë rrumpallë akoma. Sa më shumë zgjat, aq më mirë. Prandaj tenton ta çojë vendin drejt kaosit. Për arsye të frikës personale që ai ka nga reforma në drejtësi, nga hapja e proceseve të vjetra, etj.. Unë shpresoj që ai të preket nga reforma në drejtësi. Reforma deri tani ka kaluar në sitë prokurorët dhe gjyqtarët dhe janë ndaluar një pjesë, nuk vazhdojnë punën e tyre, por akoma nuk ka filluar reforma e vërtetë. Reforma e vërtetë fillon kur jep drejtësi, kur mbahet përgjegjësi për akuzat. Kjo nuk është bërë akoma. Por shpresoj që të bëhet dhe Berisha të jetë një ndër ta.

-Nga ana tjetër, protagonist ka filluar të bëhet edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Para disa ditësh ai kritikoi reformën në drejtësi dhe ndërkombëtarët. Si e patë ju këtë deklaratë të tijën?

Kritikat e presidentit unë i mirëpres në kuptimin që ai e ka për detyrë të bëjë kritika nëse sheh që ka vend për kritika. Nuk dua të bëj komente për to sepse ai është qytetar i parë i këtij vendi. Ai ka një problem sepse nuk ka asnjë të drejtë as të urdhërojë, as të marrë masa. Ai vetëm shikon gjërat dhe ka ato mendimet e veta dhe vetëm kaq. Unë uroj që ai të ketë opinione të drejta.

-Meta u shpreh se ai ka bërë çfarë kishte në dorë për të zgjidhur krizën politike. Sipas jush a mund të ketë një rol më aktiv presidenti në gjithë këtë situatë?

Unë do të doja që të kishte një rol më aktiv. Do të doja që presidenti t’i thërriste partitë dhe të shikonim se kush do të shkonte dhe kush jo. Të shikoja se çfarë qëndrimi do të mbahej. Mundësisht këtë lloj bisedimesh në tryezën e presidentit të transmetoheshin direkt sepse nuk ka ndonjë sekret. T’i shikonte edhe populli dhe të mbante një qëndrim pastaj për ata që kanë të drejtë dhe ata që s’kanë të drejtë. Populli e ka një mënyrë për të thënë të drejtën, me zgjedhjet. Por këta s’po lejojnë që të shkohet në zgjedhje. Kështu që për sa kohë, zgjedhjet po vihen në dyshim, edhe pse unë jam i bindur që do të bëhen, të dëgjonim të paktën opinione rreth një tryeze për gjërat. Këtë mund ta bënte presidenti. Nuk e ka bërë, e di ai pse. Ai e njeh situatën më mirë se unë dhe mbase ka parë se nuk e bënte dot sepse nuk do i shkonin.

-Si për ironi, kriza momentale politike po ndodh në të njëjtën kohë me atë të vitit 1996. Sot është 28 maji, ku shumë zyrtarë të Partisë Socialiste u dhunuan nga partia në pushtet. Me aq informacione që ju keni, çfarë ndodhi asokohe dhe pse qeveria nisi sulmet nda opozitës socialiste?

Ndoshta formalisht duket sikur situata politike sot është e njëjtë me situatën në vitin 1996. Bëhet fjalë për zgjedhjet, qeveria socialiste asokohe kërkoi që zgjedhjet të mos njiheshin sepse në ditën e zgjedhjeve konstatoi se zgjedhjet ishin farsë. Dhe u tërhoqën më pas komisionerët nga qendrat e votimit. Por situata është ndryshe. Situata është e paragjykuar jo muaj, por vite më parë. Kjo historia e mos-marrjes pjesë në zgjedhje, e faktit që ne bisedojmë vetëm nëse nuk është kryeministri në bisedime ose të jetë por jo në pozitat e kryeministrit, gjëra të tilla janë të paragjykuara prej shumë kohësh. Atëherë nuk u paragjykua gjë.

Atëherë u konstatuan gjëra dhe kemi qenë dëshmitarë të gjithë. Ka qenë një situatë fare e rëndë, kurse tani nuk ka asnjë ngjashmëri. Situata ka qenë e vështirë, por arsyet janë fare të ndryshme. Berisha e kishte shumë të qartë që situata ishte e vështirë dhe ai do të humbte. E kuptoi vetëm pak para zgjedhjeve që do të humbte dhe bëri atë që bëri për të mos humbur zgjedhjet. Nuk ia kishte marrë mendja kurrë që shpëtimtari i këtij vendi, që rrëzoi sistemin e vjetër, etj, që këto janë broçkulla për mua sepse sistemi i vjetër ra vetvetiu. Ai sistem ra se nuk mbahesh dot më, kishte dështuar në ekonomi dhe jo në politikë dhe nuk e mbante dot vendin.

Por Berisha mori përsipër të gjitha meritat e rrëzimit të atij sistemi dhe kujtonte se do të ishte ai i përjetshëm. Pastaj para zgjedhjeve, dikush i tha, dikush e bindi, mbase edhe nga sondazhet e kuptoi që po i humbte zgjedhjet. Ai humbi referendumin e Kushtetutës, ai humbi zgjedhjet lokale në 1992. Kështu që nuk ishte më i sigurt që do t’i fitonte dhe bëri atë që bëri, ashtu është ai. Por në këtë rastin sot, qeveria është e bindur se i fiton zgjedhjet. Sondazhet e nxjerrin fitimtare PS krahasuar me PD. Kështu që qeveria nuk e ka atë problem fare. Qeveria thotë hajde shkojmë në zgjedhje, bisedojmë si do të kryhet ky proces.

-Për të qëndruar pak tek ngjarja e 1996, ju thoni që ishte Berisha ai që urdhëroi aktet e dhunës asokohe?

Sigurisht, absolutisht, nuk kishte gjë tjetër në Shqipëri. Edhe kryeministri, edhe pse ishte kryeministër, e ka deklaruar vetë që ishte fare i pafuqishëm para presidentit. Edhe nuk kishim këtë Kushtetutën që kemi sot. Presidenti atëherë në një farë mënyre ishte edhe drejtuesi i qeverisë. Ai mund të mblidhte qeverinë, mund të vendoste, ta drejtonte ai mbledhjen e qeverisë. Dispozitat kushtetuese ishin tjetër gjë fare në krahasim me Kushtetutën që është sot. Ishte shumë më i fuqishëm presidenti atëherë.

Por Berisha nuk e kishte këtë fuqi vetëm nga pozicioni zyrtar i presidentit. Ai ishte i fuqishëm se komandonte vërtet SHIK-un direkt dhe policinë. Ishte tjetër situatë fare. Atëherë mungonte demokracia, jo sot. Sot opozita ka vërejtje, do të vijë në pushtet shpejt dhe po tenton një rrugë të caktuar dhe kaq. Unë jam dëshmitar direkt dhe kam opinionet e mija për ngjarjen në 1996 dhe them me bindje që e gjithë situata u krijua nga Berisha. S’kishte kush e bënte tjetër, ai qëndronte pas. Më 28 Maji të vitit 1996, kur PS do organizonte protestat për vjedhjen e votave, ishte Sali Berisha ai që urdhëroi që kjo protestë të mos bëhej në sheshin e Tiranës, por tek fusha “Ali Demi” dhe i rrethuar me polici: në periferi të kryeqytetit. Por, irritimi i PS nxiti turmën të devijonte, çka solli më pas dhe përplasjen. Sali Berisha urdhëroi të rriheshin shumë persona në shesh

-Në gjykimin tuaj, Sali Berisha vijon të jetë i njëjti politikan që anon nga dhuna apo ka ndryshuar?

Sigurisht, duket nga ato që thotë. Nga këto e vlerësoj sepse unë nuk e di sesa pushtet ka tani ai në Partinë Demokratike. Unë di vetëm që ai ka plot përkrahës, njerëz që e dëgjojnë, por nuk ka më pozitën që ka pasur. Por nga ato që thotë, intervista e fundit që dëgjuam, kuptohet qartë që ai është i njëjti ekstremist që ka qenë. Ai duket që nuk do që dy partitë kryesore të merren vesh.

Nuk do që situata politike parazgjedhore dhe pastaj edhe paszgjedhore të jetë e qetë. Nuk i shkon në hesapet e tija. Pse? Sepse do të vazhdojnë plot gjëra të tjera nëse situata politike do të jetë e qetë. Do të bëhen zgjedhjet, do të zgjidhen drejtuesit lokalë që nuk është se nuk janë pa rëndësi, janë shumë të rëndësishëm. Por çështjet madhore si reforma në drejtësi, etj., nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet. Por ai nuk do që situata të vazhdojë e qetë në mënyrë që të mos bëhen të gjitha ato që ne presim të bëhen. Pse? Se ka frikë. Tani po bindem që Berisha ka frikë. Duket sikur e tmerron reforma në drejtësi dhe SPAK sepse ka shumë gjynahe.

Megjithatë një gjë është e qartë: Ai është treguar gjithmonë i zoti. Gjynahet edhe kur janë konstatuar, në një mënyrë a në një tjetër iu janë shkarkuar të tjerëve. Ca gardistë u dënuan për ato vrasjet në bulevard. Ndërkohë që Berisha është përgjegjësi kryesor. Nuk guxonte kush të bënte asgjë pa urdhrin e atij. Nuk u zhdukën regjistrimet e kamerave në Kryeministri pa urdhrin e tij. As Garda nuk u mbajt për tri ditë pa asnjë kontakt në Kryeministri pa urdhrin e tij. Ai është përgjegjësi kryesor. Por e ka eksperiencën, e ka edhe mendjen që t’jua shkarkojë të tjerëve në formë shumë më të zbatuar. Ka patur pushtet dhe e ka përdorur atë për të shpëtuar veten.

-Ditët e fundit Sali Berisha është përfshirë në një debat edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Keni një koment për fyerjet e tij ndaj Thaçit? Pse vijnë këto sulme?

Thjesht do të tërheqë vëmendjen, do të krijojë një problem tjetër për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vendit që për mua janë shumë më të mëdha. Ato janë probleme që thjesht janë hedhur për diskutim. Nuk është se ka ndihur ndonjë gjë në Kosovë, nuk është se ka një produkt përfundimtar për të cilin ia vlen të diskutohet. Nuk është ndonjë gjë kaq e rëndësishme. Kufijtë natyrisht që janë të rëndësishëm, por nuk është bërë asgjë që të kthehen në të rëndësishëm. Kështu që Berisha merr pjesë në të tilla debate edhe sepse i pëlqen protagonizmi, por edhe për të tërhequr vëmendjen. Do që të shpërndahet vëmendja, ndërkohë që ne kemi gjëra shumë të rënda këtu brenda.

-Në të vërtetë sipas jush, sa i intereson Berishës integriteti i Kosovës? Apo deklaratat për mbrojtjen e kufijve i ka thjesht shou?

Aspak. Nuk i ka interesuar asnjëherë. Unë mbaj mend Rambujenë. Ajo është skandaloze. Mbaj mend po ashtu edhe thyerjen e embargos, ka dhënë ca shpjegime absurde që vetëm ata militantët e tij mund ta besojë, ata që e adhurojnë. Ka thënë e thyem embargon që të mos kishin ftohtë kosovarët. Ky është karagjozllëk. Periudha e Berishës ka kaluar. Fatkeqësisht për ne që e patëm në krye për vite e vite me radhë dhe ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë politikën shqiptare. Unë e quaj fatkeqësi sepse është gjëmë që ka qenë ai. Por tani për fat të mirë i ka kaluar koha. Ai po përpiqet natyrisht me këto deklaratat e tij që të tregojë se është akoma i rëndësishëm, por vazhdon thotë gjëra absurde. Nuk e ka më njeri frikë.

-Një ngjarje që Berisha e trumbeton është vrasja e Ahmet Krasniqit, për të cilën ju akuzon edhe juve. Por deputeti kosovar, Milaim Zeka deklaroi para pak ditësh se Berisha ka dijeni për autorët. Sipas jush, çfarë roli ka patur Berisha në këtë ngjarje? A keni ju informacion?

Nuk di gjë, po ta dija do ta thosha me kohë. Po ta dija që ka gisht Berisha, do ta thosha me kohë. Unë di që s’kam gisht unë. Kjo është absolutisht e sigurt dhe këtë tezë e mbroj. Për ne ai nuk përbënte shqetësim. Ata ishin këtu prej vitesh. Tundeshin e shkundeshin me uniformat e UÇK pa qenë UÇK. Këtë e dinim, i kishim kërkuar dhe këshilluar shumë herë sepse na e kërkonte UÇK që të merrnim masa sepse në territorin tonë ata dilnin me uniformat nëpër rrugë dhe nuk ishin njerëzit e tyre. Por me thënë të drejtën, nuk di që të ketë gisht Berisha. Nëse do ta dija, do ta thosha, nuk do të druhesha fare.