Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i pyetur për opozitën e re në Kuvend, shprehet se tashmë “Parlamenti është kthyer në një “haltore” e Ramës që flet çdo gjë, përbuz dhe tallet me shqiptarët çdo moment”.

“Nuk ka opozitë të re, kjo është loja e Ramës. Nuk ka pas dhe nuk ka reformë zgjedhore legjitime pa opozitën përfaqësuese dhe opozita përfaqësuese është ajo që ka dalë në mbështetje dhe në ballë të shqiptarëve për një Shqipëri europiane.

Loja e Ramës për të nderuar opozitën fasadë të pavotuar, jo përfaqësues me pazare politike, që është në radhë të parë turp i atyre që i shërbejnë Ramës dhe së dyti fund i demokracisë. Ka vetëm një zgjidhje, garantimi i të drejtës minimale si në çdo vend Europian.

Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për ti mundësuar ato, duhet që Shqipëria të largojë organizatorin dhe manipulatorin e zgjedhjeve nga pozicioni i kryeministrit dhe ky është Edi Rama. Ne kemi nevojë për një qeveri që garanton zgjedhje Europiane”, shprehet ai për “Koha Jonë”.

“Nëse Edi Rama do të zhvilloj zgjedhje pa opozitë, këtë e ka bërë Enver Hoxha dhe opozita nuk duhet ta lejojë dhe duhet ta frenojë me çdo mënyrë. Nëse Edi Rama do të shkatërrojë të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe demokracinë shqiptare ta kthej Shqipërinë mbas në vitet e zeza të diktaturës dhe varfërisë, shqiptarët duhet ta pengojnë me çdo mënyrë”, vijon ai.