Nga Eduard Zaloshnja/

Në ditët e sotme, është e zakonshme të shohësh mbrojtës si Marcelo, Alba, Kimish ose Doka, që më shumë luajnë pranë vijës fundore të kundërshtarit, se sa pranë vijës së tyre. Në vitet ’60 të shekullit të shkuar kjo gjë ishte e rrallë në botë. Aq më pak në Shqipëri.

Bënte përjashtim një mbrojtës elegant i “Tironës” së famshme të asaj kohe – Fatmir Frashëri. Mimi, siç e quanim ne të rrethit të tij familjar, ishte mbrojtësi modern i futbollit të vjetër. Futboll ku numrin 2 e mbante mbrojtësi i djathtë, i cilli shumë rrallë e kalonte mesin e fushës.

Por jo Mimi. Ai e kapte vijën fundore të kundërshtarit më shpesh se Niko Xhaçka, sulmuesi i djathtë i “Tironës” së asaj kohe. Ai jepte asiste pothuaj sa Ali Mema, mesfushori legjendar i asaj “Tirone”. Ndërsa rivëniet me dorë të Mimit ishin si goditje të forta dënimi ose si goditje të forta këndi. Jo pak gola të “Tironës”u shënuan prej tyre…

Por në rradhë të parë, Mimi ishte mbrojtës. Dhe rrallë ndonjë sulmues kundërshtar arriti ta triblojë atë. Panajot Pano, mund ta ketë tribluar ndonjëherë, por pothuaj asnjë sulmues tjetër shqiptar nuk arriti dot. (Nga të huajt, Xhaiçi i famshëm i Jugosllavisë e tribloi dy herë në ndeshjen e 1968-ës).

“Tirona” ka humbur këtë vit dy nga legjendat më të mëdha të historisë së saj – Ali Memën dhe Fatmir Frashërin, dy shokë të ngushtë në fushë e jashtë saj.

Iu preftë shpirti në paqe!