Gjatë ditës së sotme, disa media publikuan lajmin se Organizata Ndërkombëtare e Punës, e cilësonte Shqipërinë si vendin me përqindjen më të lartë në Europë, të të rinjve të papunë për vitin 2018, me shkallën 32.8 %.

Lajmi i shpërndarë, me një hulumtim të thjeshtë, rezultoi i rremë për dy arsye, të dhënat e pasakta dhe burimin e paverifikuar.

Sipas lajmeve të publikuara, të dhënat e kanë burimin te International Labor Organization (Organizata Ndërkombëtare e Punës) dhe si vit publikimi, i referohen vitit 2018.

Por po të kërkohej të vërtetoheshin të dhënat nga mediat tona, do të vihej re se Organizata Ndërkombëtare e Punës të dhënat e fundit të publikuara zyrtarisht mbi Shqipërinë i ka të vitit 2015 . (Shih Tabelen)Pra që nga viti 2015 Organizata Ndërkombëtare e Punës nuk ka publikuar asnjë të dhënë pas këtij viti. Shkalla e përqindjes 32.8 % nuk i përket vitit 2018, por vitit 2015.

Për më tepër, info harta që qarkulloi në artikujt e medias shqiptare, nuk ka si burim Organizatën Ndërkombëtare të Punës, por një studiues serb, Milos Popoviç. Autori e ka publikuar hartën në faqen e tij në twiter (shih foton).

Harta në vetvete ka një problem: Republika e Kosovës aty nuk ekziston! Kjo duket se mediat tona nuk i ka frenuar ta shfaqin pa problem. Por po të vijojmë më tutje në profilin e autorit, do të shohim që ai është një studiues me origjinë serbe, i cili duket se bazën e tij e ka pikërisht në nxjerrjen e të dhënave sa më të volitshme për Serbinë dhe sa më të papërshtatshme për Kosovën.

Në një infohartë tjetër do të shohim se Popoviç arrin deri aty që të referojë si studim me të dhëna një infohartë mbi ‘spastrime etnike’ të ndodhura ndaj serbëve në Kosovë. (shih foton)

Pra, kemi të bëjmë me një autor që së paku mund të konsiderohet si përdorues i motivuar politikisht dhe i njëanshëm i të dhënave.

Megjithatë, përtej burimit të paverifikuar dhe të dhënave të pasakta, si qëndron e vërteta e papunësisë rinore në Shqipëri?

Këtë mund ta sqarojnë vetëm shifrat zyrtare të institucioneve ndërkombëtare si Komisioni Europian dhe Banka Botërore.

Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare, të publikuar në Shkurt 2019 nga Komisioni Europian, shkruhet se papunësia ka qenë vazhdimisht në rënie nga kulmi i arritur prej 34% në vitin 2015.

“Në tremujorin e tretë (2018), norma e papunësisë për grupmoshat 15-29 u regjistrua 23.1%, pothuajse 3 pikë përqindjë krahasuar me një vit mëparë (2017)”, shkruan KE. Po në të njëjtin raport referohet se vetëm në vitin e fundit, “rritja e punësimit midis të rinjve (15-29) ishte +26% krahasuar me një vit më parë”. (lexo raportin në faqen 10-https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/economy-finance/tp030_en.pdf)

Gjithashtu, sipas raportit të prillit 2019 të Bankës Botërore, normat më të ulëta të papunësisë së të rinjve ishin në Shqipëri (23.1%) dhe në Serbi e Mal të Zi (rreth 30% në të dy vendet). (lexo raportin ne faqen 12- http://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/western-balkans-regular-economic-report)

Raportet ndërkombëtare konfirmojnë kështu se Shqipëria, ka papunësinë e të rinjve 23.1% dhe jo 32.8 % dhe se kjo shkallë është më e ulëta në Ballkanin Perëndimor./Lexo.al