Pavarësisht se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk po marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, kandidati i PS për bashkinë e Beratit vijon fushatën me ritëm të lartë në çdo lagje të qytetit, e cila gjithashtu vjen me një risi. Tashmë nuk ka vetëm shënime që mbahen kur qytetarët kanë mundësi të shprehin por ajo që është e re në fushatën e Demos, është edhe evidentimi i problematikave të secilës lagje nëpërmjet një aplikacioni në smartphone. Mbi 50 të rinj të forumit rinor të cilët kanë kryer mbi 250 orë pune për një muaj me radhë, kanë fotografuar mbi 1200 problematika në çdo zonë të qytetit.

Në aplikacion gjendet një hartë e bashkisë së Beratit, e mbushur me pika të zeza, që secila prej tyre tregon një problematikë në një rrugë apo në një lagje të caktuar. Problematikat kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e shërbimeve bazë të bashkisë, siç janë rrugët e pashtruara të lagjeve, ndriçimi i munguar, kanalizimet dhe kanalet kulluese të papastruara, mbeturinat dhe koshat e dëmtuar, mungesa e këndeve të lojërave për fëmijë etj.