Eugent Bushpepa është shprehur i lumtur me atë që ka arritur në Eurovizion, por ka pasur edhe pakënaqësi të vogla.

Mbi të gjitha ai është shprehur se është çuditur së tepërmi me vlerësimin e Italisë për këngën e tij.

Çudia më e madhe në këtë mes ishte Italia.

Menduam që duke pasur një përfaqësues nga vendi ynë, ata do të tregoheshin pak më zemërmirë me në”, ka thënë Eugenti, ndërsa ka deklaruar haptazi pakënaqësinë e tij ndaj gjykimit të jurisë italiane për këtë vit.

Ndërkohë, Artan Fuga, që kundërshtoi hapur këngën e Bushpepës, ka bërë një tjetër reagim, duke thënë se shqiptarët ia hedhin fajin Europës për dështimet e tyre.

Nuk merr vendi i parë në ndonjë spektakël, sikurse ngremë në ajër pritshmëritë tona, pavarësisht meritave që kemi? Komplot anglo-amerikan, madje në bashkëpunim me qarqet sioniste, kundër Shqipërisë! Se cfarë lidhjeje kanë shijet e publikut europian me politikat e shteteve europiane një Zot e di!

Paranoja shkon drejt absurdit dhe bëhet qesharake! Drama merr përmasat e një komedie!

Morrëm jo aq pikë sa donim sepse publiku europian nuk na do, sepse shqiptarët nuk i duan, sepse fqinjët perëndimorë tregohen komplotistë ndaj Shqipërisë dhe kulturës të saj.

Mjafton të shohësh sa pikë morrën vende nordike apo të mirëfillta të krishtera, perëndimore, europiane, shumë më poshtë prestacionit shqiptar, për t’u bindur që çdo gjë mund të ketë, por jo antishqiptarizëm nga Europa”, shkruan Fuga në një analizë të gjatë më titullin “Paranoja e “komplotit” europiano-perëndimor kundër Shqipërisë”, në të cilin flitet dhe për politikën.

Eshtë bërë zakon i një propagande banale tashmë që sa herë politika dhe institucionet europiane na tregojnë qartë dhe prerë se në rrugën tonë plot kthesa dhe pengesa për t’u demokratizuar sadopak kemi mbetur shumë prapa të tjerëve, buritë e saj ia venë fajin Europës.

Na e ka me të keq kurva plakë!

Sigurisht këtu mund të ishte thënë se përmblidhen përvoja historike ku janë përballur ëndërra kombêtare me politika qarqesh europiane që nuk kanë qenë përkrah tyre ose i kanë penguar.

Ndërkaq sot, duke u fshehur pas historisë dhe manipuluar atë, pakënaqësia ndaj Europës që shprehet nga propaganda dhe përfaqëson një pjesë të rëndësishme të qarqeve politiko-financiare-pushtetare të Shqipërisë së sotme, ka dy qëllime:

I pari të ruajë privilegjet kolektive dhe individuale duke ruajtur pra një pozitë sunduese të privilegjuar nëpërmjet izolimit të Shqipërisë nga Europa. I dyti, të fshehi dështimet duke hyrë në një paradoks të pashoq dhe absurd, pra edhe të kërkojë të kapi gjoja parametra europiane, por edhe të pështyjë në drejtim të Europës dhe të institucioneve të saj, sa herë prej tyre merr një notë refuzuese dhe plot kritika për atë që pretendohet se është arritur.

Kemi ardhur gati në parametrat propagandistike të “Rrezikut anglo-amerikan për Shqipërinë”. Pra, në kufijt e paranojës politike. Izolimin tonë ndaj saj, ta shprehim sikur jemi të rrethuar nga armiq të jashtëm, të cilët po nxijnë dhe po diskreditojnë fitoret tona”, shkruan Fuga në analizën e tij.

(TemA)

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here