Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar për vitin 2019, çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe për klientët e tjerë me pakicë, që furnizohen në tregun e rregulluar.

Qytetarët do të vazhdojnë ta paguajnë 9.5 lekë për çdo kilovat orë; bizneset 14 lekë për kilovat orë; kurse furrat e bukës 7.6 lekë për kilovat orë.

Në fakt, Operatori i Shpërndarjes nuk ka aplikuar për ndryshim tarifash, ndërkohë që vet kompania po i nënshtrohet një ristrukturimi në kuadër të liberalizimit dhe ndodhet në një fazë tranzitore.

Ajo do të operojë në treg përmes 3 kompanive “bija”, të cilat kanë marrë licencat e shërbimeve. Dy prej tyre do të përfshihen drejtpërdrejt në marrëdhëniet me konsumatorët familjarë, njëra që do të garantojë furnizimin, ndërsa tjetra shpërndarjen dhe do të ketë në përgjegjësi pjesën teknike.

Edhe përcaktimi i tarifës në të ardhmen do të jetë në varësi të kostos që do të dalë për shërbimin që ofron secila kompani. Kompania e tretë në pronësi të OSHEE-së është furnizuesi i tregut të lirë, po ashtu e kontrolluar prej OSHEE-së, e që do të merret me klientët jashtë tregut të rregulluar.

Falë situatës së mirë hidrike, OSHEE ka realizuar fitime që shkojnë në rreth 3.5 miliardë lekë në vitin 2018, por situata financiare e kompanisë dhe plani i investimeve nuk lejon që këto fitime të shkojnë për reduktimin e tarifave.