Nga Anri Bala

A e mban mend Enkelejdin?! Të të them të drejtën, edhe unë pak e mbaj mend! Por dhe ty nuk të bëj dot me faj, s’ke si ta mbash mend, se para se të bëhej Ministër i Drejtësisë, kësaj që po i’a zbythin një nga një gjyqtarë e prokurorë… Enkelejdi që nga pamja e jashtme të ngjante si këngëtar tallavaje, kur vendosi mullaqet në karrigen e të mallkuarve, pa më të voglin dyshim… i erdhi nuri dhe u zbukurua. Por, as e para e as e dyta nuk e ndihmoi aspak, të largoi damkën e turpit, ku padyshim është kryefajtor dhe bashkëfajtor, për të gjithë gjëmat dhe bëmat brenda pallatit të (pa)drejtësisë, në atë manastir prostitutash… ku imoraliteti dhe pandershmëria, deri dje, shiteshin si virtyte!

Më ka ngelur në mendje, një shprehje e një mikut tim shumë të mirë, i cili më thoshte se: politikanët tanë, janë më të pashëm sot… se sa kur kanë qenë të rinj! Mua nuk me shqetëson fakti, se si dhe pse janë zbukuruar, aspak… por modeli Alibeaj, është modeli tipik i politikanit, që është zbukuruar rishtazi, duke qenë “arkitekt” i padrejtësisë dhe në vend që të frikësohej nga zhgënjimi dhe goditja e papritur, që i’u dha në emër të ligjit… pa ligj qytetarëve, ai u ekzaltua!

Ali-beu… i atëhershëm, guxon sot, me paturpsinë më të madhe, të na i paraqes ditët e zullumeve dhe poshtërsive të tij, si model që duhet dhe do na duhet, për tu mbështetur tek drejtësia, me fytyrën e padrejtësisë!

Nuk ka faj Enkeledi që kapardiset nëpër emisione! Kanë faj pronarë e drejtues emisionesh, që nuk e pyesin këtë zotërinë, sikur njëherë të vetme, se si ka mundësi që një ish-ministër Drejtësie, që e ka mbajtur atë pozicion për disa vjet, nuk kërkon njëherë të vetme ndjesë, për të gjitha krimet të bëra në kurriz të viktimave nga “xhelatët”, që na promovuan dhe na i lanë në derë, ai dhe gjithë ata, që sillen dhe mendojnë si ai?!

Asgjë nuk ndjen prej tij, fjala vjen… për “aksidentin teknologjik” në Gërdec, ku u vranë 26 persona, se pikërisht në atë kohë Alibeaj, nëse nuk kam humbur kujtesën, këmbente letra me djalin e Marshallit, si drejtues i Ministrisë së Padrejtësisë?! A di ndonjë gjë, se përse Fatmiri, ish ministri i katastrofës dhe fajtorët vrasës e grabitës, gëzojnë e ngrejnë dolli… për viktimat që humbën jetën, për t’i pasuruar dhe nuk u hyri asnjë gjemb në këmbë?!

Është për të vënë duart në kokë, që të dëgjosh Enkelejdin, të mbaj leksione për drejtësinë, kur ai bashkë me “Marshallin”, na la atë që na la… një stan lepujsh, i mbushur me çakej! Nuk e ka fajin Vettingu, që janë mbyllur gjykatat… Kushtetuese, e Lartë… e me sa duket dhe të tjerat do të kenë të njëjtin “fat”, por faji është i Alibeajt dhe të gjithë këtyre, që sot quajnë drejtësi, padrejtësitë që janë bërë në kurrizin tonë, e që nuk lanë qoftë edhe një gjyqtarë apo prokurorë të pakorruptuar në atë sistem… që ta kishin si “hajmali”, mes njerëzve të drejtësisë së nesërme!

Por, ai prapë nuk tutet e vazhdon të stërmundohet, për të na bindur për diçka, që e dimë shumë mirë, se fajtori janë “ata”, që e lanë padrejtësinë pa xhelatët e tyre… pra bosh, sepse nuk ka mbetur një i vetëm që të garantojë pastërtinë e figurës së tij!

Enkelejdi, ose nuk kupton, ose kupton dhe dëshiron që Rama ta “kap” drejtësinë, sepse nuk ka çfarë të kap dhe këtë gjë Enkelejdi e di mirë, se ai dhe ata nuk kanë lënë asgjë brenda atij sistemi, që mund të “kapet”, përveç thesit bosh të shërbëtorëve të tyre, që tani duhet të kesh doreza, që të ruhesh edhe nëse i prek. Kurse njerëzit e drejtësisë. që po presim me padurim, edhe nëse Rama ka dëshirë ta “kap” ndonjë, nuk i’a mundëson sistemi, nuk ja plotëson dëshirën vettingu, që ta pret dorën, bashkë me “kokën” e ndonjërit prej miqve të tu, nëse dëshiron të na kujtoi… se na ishte njëherë (pa)drejtësia!

Nuk e kuptoj, e më duket e pabesueshme, se si ky njeri ka qenë ministër i Drejtësisë?! Flet për skemën e shkollës së “Plepave” të Marshallit, si njolla më e zezë e politikës, mbi trupin e drejtësisë dhe demokracisë, e që zor se do harrohet lehtë dhe krahason plepistat analfabet, me studentët e rinj të magjistraturës dhe nuk la vend ku gjenë hapësirë pa sokollitur, se kryeministri po investon të fus magjistrantë të rinj, që në të ardhmen e afërt, do të jenë brenda sistemit të drejtësisë, me qëllim për të kapur drejtësinë…!

Tani Enkelejdi, duhet të jet pak më në rregull nga mend, që të dal në televizor e të flas gjëra që të na duken pak si të besueshme. Tani Rama e ka kapur atë sistem, që la Marshalli, apo se ka kapur, apo do e kapi?! Apo, po investon të kap drejtësinë, që e ka “kapur”, sepse këtë që ka kapur sot, sipas jush, quhet veting dhe po e shkatërron me duart e tij, po sipas jush?!

Hajde merri vesh këto mostra, që i paguajmë aksidentalisht, edhe kur janë të çmendur dhe flasin përçartë në emër të partisë si… politikan!

Këta çibanë, që po shkulen nga rrënjët, po tentojnë të lëpijnë plagët e njëri tjetrit dhe klithmat e tyre nëpër studio televizive, janë këngët e ndarjes së përjetshme, që i nisën sapo panë se pallati i (pa)drejtësisë hapi dyert e mortit. Këta orla, sillen përqark çatisë, mbi kufomat e sakatuara të parveny-ve të tyre, duke menduar, se vaji i krra-krrasë, mund të shpëtoi ndonjërin nga “thika” e kasapit… vetting. Por, ama një këshillë do ja jap marrëzisë alla “Enkelejd”: Të vdekurit nuk çohen… nëse i “gropos” thellë!/Ekskluzive.al