“Engjëjt e Amerikës” është shfaqja e fundit për këtë sezon e cila u ngjit gjatë kësaj fundjave në skenën e ArTurbina nga artistët e Teatrit Kombëtar .

Kryevepra e autorit të njohur Anthony Kushner është me regjinë e Arben Kumbaros, i cili është shprehur se kjo vepër vjen edhe si një apel për të reflektuar te vetja.

“Them se është një apel për të reflektuar tek vetja. Për të kuptuar të ndryshmit nga ne, problemet e dashurisë, qasjet politike, qasjet fetare”, është shprehur Kumbaro.

Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Nju Jork në vitet ‘90, koha e Presidentit Regan. Dramë interpretohet nga aktorët Genti Deçka, Helidon Fino, Luiza Xhuvani, Laert Vasili, Donald Shehu, Indrit Çobani, Ina Gjonçi, Luli Bitri, Vasjan Lami. Me skenografi të Adi Kapos, kostumografi të Berina Kokona, me kompozim të Endri Sinës dhe koreografi nga Kozeta Bakiu dhe as/regjisore Doriana Çaushi, kjo vepër është përkthyer nga Ilir Baçi.

“Engjëjt e Amerikës” është konsideruar si vepra më ambicioze e dekadave të fundit e dramaturgjisë botërore, ndërsa është mirëpritur nga publiku kryeqytetas i cili ka tejmbushur sallën e ArTurbina në të gjitha netët e shfaqjes.

“Engjëjt e Amerikës” ka pasur sukses dhe si film, pasi ishte fituesi kryesor me 11 çmime Emmy. Kandidat në 21 kategori, miniseriali “Engjëjt e Amerikës” fitoi në kategorinë e filmit më të mirë.