Nga Andrea Danglli/

Puhiza e lehtë e detit, zhurma e paqtë e dallgëve dhe gjysmë hija e çadrës, ngjanin sikur kishin bërë një plan të heshtur për të më vendosur në qetësinë e një gjumi të thellë.

Kisha kohë pa bërë një të tillë. Notova veç për pak minuta në orët e mëngjesit mes ujit pakëz të ftohtë, dhe pastaj zgjodha të pushoj nën shezllon pa kuptuar se do më zinte gjumi duke menduar një sërë çështjesh të çuditshme.

Në fillim për horizontin që takohej me detin pa krye e pa fund dhe pastaj se si do të kishte qenë bregdeti i Durrësit nëse përbindëshat e politikës do ishin zhdukur si dinosaurët njëherë e një kohë pa pasur mundësi të kishin një vulë dhe një firmë në dorë. Megjithëse zona ku isha mbante një tabelë të korrektuar ku shkruhej “Manhattan”, asgjë nuk kishte lidhje me ishullin në gojë të Hudson River, në SHBA. Përkundrazi, “demekdemokracia” 28 vjeçare edhe këtu kishte injektuar dozat e saj transformuese.

U desh e qara e një fëmije grindavec përbri çadrës sime që të më hapeshin kapakët e rënduar të syve dhe të kuptoja se sa kohë kisha dremitur në gjysmë hijen e paguar.

“Po hë merr bab më jep ca lek që të shkoj me ble petulla me mjaltë! Po ikën ai shitësi, hë tani, hë mos u bëj kaq i keq!”,– Kjo ishte lutja e djalit pakëz obez që këmbëngulte të blinte një ëmbëlsirë.

Babai i tij, një burrë me tatuazhe dhe me syze të trasha dielli, përpiqej ta qetësonte duke i thënë se sapo kishte ngrënë akullore dhe do sëmurej nëse hante shumë produkte të ëmbla. Madje për ta friksuar ai e paralajmëronte se do të thërriste një polic që ta merrte me vete. (Qesha me këtë shantazh të hershëm)

Veç pas ndërhyrjes së të ëmës që shkëputi shikimin nga telefoni dhe i foli të shoqit, burri me tatuazhe u bind dhe fërshëlleu fort nga çunaku me tabaka në dorë i cili hidhte sytë rreth e rrotull për të thërritur blerës. Ai e dëgjoi sinjalin dhe çau përmes rërës për të ardhur tek blloku ynë duke u kujdesur që ta shtërngonte fort tepsinë e mbështjellë me letër alumin në të gjithë sipërfaqen.

Edhe pse streha e kapelës dukej e madhe, dielli nuk ja kishte kursyer lëkurën e hundës që i ishte rrjepur, buzët që i ishin tharë dhe supet që i ishin nxirë aq shumë sa i dallohej lehtësisht vija e krijuar nga bluza.

“Hajini pa merak fare. I ruaj mirë nga dielli. Pastaj mjalti më kanë thënë se s’prishet kurrë!”, -thoshte çunaku fjalëpak për të shuar merakun e burrit me tatuazhe dhe syze të trasha që herë shihte nga djali i petullave me hunë të rrjepur dhe herë nga i biri obez që shkëlqente nga kremi kundra diellit.

Thuajse të dy fëmijët ishin të një moshe rreth 10 apo 11 vjeç, të një gjatësie trupore, (besoj) të të njëjtit qyteti dhe të të njëjtit atdheu. Veç se e sotmja i kishte gjetur të pabarabartë pasi njëri shiste dhe tjetri blinte, njëri pushonte dhe tjetri punonte, njëri i mbrohej rrezeve dhe tjetri i çante për të fituar disa të holla.

Pasi përfundoi pazarin me ta, shitësi i vogël hodhi disa hapa drejt çadrës sime duke pyetur nëse doja të blija diçka prej tepsisë që shtërngonte me duart e vogla, apo të largohej. Thirrja e tij e zakonshme, më përcillej në koren e trurit si një fjali e pazakontë që më shumë se sa pyetje, ishte përgjigja mbi tezën time për përbindëshat të cilët s’u zhdukën me dinosaurët.

I zbraza xhepat e portofolit dhe bleva disa ëmbëlsira, pak i detyruar nga uria e stomakut dhe shumë i nxitur nga uria për të parë buzëqeshje mbi atë fytyrë të nxirë prej rrezeve të diellit që e ndiqnin nga mëngjesi pranë “Urës së Dajlanit” dhe e shoqëronin deri në mbrëmje pranë “Kepit të Rodonit”. I dhashë paratë, i lëmova kokën dhe i kërkova të bënim qepalla.

Edhe pse u largua dalë-nga-dalë duke zhytur këmbët në rërën e bollshme, çuditërisht më përsëriteshin ende fjalët e tij: “A doni petulla? I ruaj mirë nga dielli. Pastaj mjalti më kanë thënë se s’prishet kurrë!”

Pikërisht kjo thirrje më sillte në përfytyrim dhjetëra të tjerë që endeshin nëpër kryqëzime rrugësh duke larë xhama makinash, nëpër lavazhe duke shkundur tapiceritë e makinave, nëpër lokale duke shërbyer me tabaka, nëpër dyqane duke ngarkuar-shkarkuar, nëpër mbeturina duke grumbulluar kanoçë, nëpër kompani duke punuar në të zezë, nëpër galeri të braktisura duke nxjerrë krom, nëpër fshatra duke bërë punë të rëndomta bujqësore dhe blektoriale… nëpër… nëpër… Po, po, kudo ku gjurmët e fëmijërisë duken aq larg sa ç’duken nganjëherë edhe brigjet përtej detit që me shikim ngjajnë aq pranë, ndërsa në realitet gjenden me qindra milje distancë.

Nuk ka asgjë të keqe që një fëmijë të edukohet me punë, madje kemi dëgjuar mjaft histori nga njerëz të suksesit të cilët tregojnë se janë ushqyer me veprimtari në vegjëli për të fituar të holla. Por në këtë pikë duhet ta ndajmë se cila është puna për fëmijë dhe cila është torturë për ta. Për pos ndonjërit, rastet e suksesit s’kanë asgjë të përbashkët me vogëlushët që dergjen rrugëve të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës. Zvarritja për kafshatën e gojës dhe zvarritja për një lodër më shumë, s’mund të jenë absolutisht e njëjta gjë.

Gjithsesi, realiteti është që fëmijët në Shqipëri vijojnë ende të shfrytëzohen, t’u rripet fëmijëria, t’ju përdhunohen ëndrrat dhe t’u masakrohet e ardhmja e tyre.

Statistikat e kryera vitet e fundit, tregojnë se numri i të miturve që kryejnë punë të rëndomta shkon deri në 50.000. Edhe pse shifrat e organizatave dhe institucioneve përplasen me njëra-tjetrën, tërmet i fuqishëm shoqëror do të ishte edhe një fëmijë vetëm do të shfrytëzohej. Jo më më 50, 500, 5000 apo 50.000 që janë shifra të frikshme.

Referuar listës publike të Agjencisë për Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, janë të paktën 118 OJF të licensuara që duhet të ofrojnë shërbime për fëmijët, të sigurojnë të drejtat e tyre dhe t’i ulërasin shoqërisë apo shtetit kur shohin se si shfrytëzohen e nesërmja e vendit.

E pakuptueshme se si një situatë e tillë nuk ka mundur ta zgjojë as Inspektoriatin e Punës dhe institucionet pararendëse që duket se i ka zënë gjumi nën shezllonin me gjysmë hije dhe harrojnë që kanë mbi kokë një “Ligj për mbrojtjen e të miturve”.

Për alarmin e zgjimit do të mjaftonin veç përfundimet e raportit global të “Save the Children” që tregon përkeqësimin e jetesës së fëmijëve në Shqipëri gjatë vitit 2017 ku thuhet se ka nivelin më të ulët krahasuar me rajonin dhe renditjen e 77 nga 175 vende të vlerësuara në gjithë botën.

Kuptohet që ky fenomen nuk ndodh veç në Shqipërinë tonë me 1001 halle ku në rrugë të madhe ka shumë faktorë që të nxjerrin, por ama asgjë nuk mund ta justifikojë një indiferencë të tillë.

Të gjithë ata që kanë në dorë fatin e fëmijëve, pjesa dërmuese kanë vetë vogëlushë/e. Sa do që përpiqem, ende s’mund ta kuptoj se si mund të pushojë i qetë një prind kur i shërben një bashkëmoshatar i djalit apo vajzës së tij?!

Plazhin e lashë vonë, ca nga mendimet dhe ca nga aniet që i ndiqja me sy deri sa zhdukeshin në horizontin e përgjakur prej diellit. Djali obez dhe babai me tatuazhe kishin lënë bri çadrës një kështjellë të vogël rëre dhe një komardare të çarë. Pashë edhe njëherë gjatë bregut mos shihja sërish shitësin e vogël të petullave, por mbase për të sot rruga e kthimit ka qenë më e gjatë se zakonisht. Kushedi ku do ishte, ashtu si mjaft shokë e shoqe të tij që i kemi lënë të vetëm në breg dhe të ekspozuar ndaj dallgëve të jetës.

Plazhi po pakësohej nga njerëzit pak e nga pak. S’kisha kujt t’i ankohesha më. Edhe pse petullat ishin me mjaltë, teksa kthehesha në shtëpi ndjeja ende një lëmsh pa shije që më rrotullohej në fyt dhe nuk përcillej poshtë… A të helmon mjalti?!