Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës për cësthjen e emrit të Maqedonisë mund të finalizohet më herët nga afati i paralajmëruar nga autoritetet. Ndonëse seanca për miratimin e ndryshimeve kushtetuese është caktuar më 9 janar ndërsa procesi pritej të rrumbullakohej deri në 15 janar, votimi final mund të ndodh më 10 janar. Rrjedhimisht, edhe procesi në Athinë pritet të nis më herët.

Sipas të përditshmes greke Kathimerini procesi në Shkup dhe Athinë po përshpejtohet me kërkesë të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili përmes një letre dorëzuar autoriteteve në të dyja vendet kërkon që procesi i Prespës të finalizohet deri më 15 shkurt.

“Siç duket kryeministri i IRJM-së Zoran Zaev po e përshpejton procesin e zbatimit të Marrëveshjes në Shkup pas letrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dërguar në Shkup dhe Athinë, që Marrëveshja të ratifikohet në të dyja parlamentet deri më 15 shkurt, në mënyrë që shteti ballkanik të mund të anëtarësohet në Aleancë pa vonesa të mëtejme”, shkruan Kathimerini, raporton Alsat.

Kryeministri grek Aleksis Cipras në fjalimin e fund vitit pati deklaruar se nuk ishte i sigurt nëse Pakti i Prespës do të votohej përpara muajit mars. Megjithatë ai disa herë është shprehur i prerë se ka shumicën e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes. Një gjë të tillë sot e konfirmoi edhe zëdhënësi i qeverisë Canakopulos, i cili shtoi se protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do të votohet pak ditë pas ratifikimit të marrëveshjes. Mediat në Greqi presin tensione politike me mbërritjen e Paktit në Athinë madje edhe zgjedhje të parakohshme në muajin maj së bashku me lokalet dhe ato për parlamentin evropian. Por Cipras ka hedhur poshtë mundësinë që zgjedhjet parlamentare të ndodhin më herët nga afati i rregullt në tetor.

Në Shkup, pavarësisht kundërshtimit të ashpër VMRO DPMNE-ja nuk pritet ta bllokojë procesin e votimit pas paralajmërimit se nuk do të marrë pjesë fare në fazën finale të ndryshimeve kushtetuese. Mbetet të shihet qëndrimi i opozitës shqiptare ndërkaq e cila kushtëzoi kryeministrin Zaev me përmbushjen e kërkesave të tyre.

Megjithatë të sigurt se procesi i Prespës do të finalizohet me sukses janë nënshkruesit e Marrëveshjes që i dha fund kontestit 27 vjeçar mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitorv ditë më parë u shpreh i bindur se procesi i Prespës do të jetësohet deri në fund. Të njëjtën garanci për zbatimin me sukses të paktit në Athinë e dha edhe ish kolegu i tij grek, Nikos Kocias.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here