Doganat kanë filluar zbatimin e sistemit “pa letra”, i cili mundëson që 93% e bizneseve të cilët kalojnë mallin në pikat doganore të shmangin kontrollin, por dhe dorëzimin e dokumenteve, çka shkaktonte kosto në kohë për shumë operatorë. Agjencitë doganore tashmë kanë unifikuar sistemin me shërbimin e doganës, duke përfshirë si nënshkrimin, ashtu edhe llojin e dokumentacionit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se tashmë dokumentet dhe kontrollet do të bëhen vetëm për bizneset që dalin me risk të lartë dhe që kalojnë në kanalin “e verdhë” dhe “të kuq”.

“Ky grup i “kanalit të kuq” përfaqëson në bazë të riskut dhe eksperiencës aktuale, mesatarisht 8 % të operatorëve dhe në këtë rast, e gjithë pjesa tjetër sot kalon pa asnjë kohë procesimi në kontrolle, por edhe në letra, pasi edhe agjencitë doganore janë të unifikuara me këtë shërbim”.

Ky është vetëm një nga hapat që doganat po bëjnë për shkurtimin e procedurave. Deri në fund të vitit Drejtoria e Përgjithshme do të fusë edhe sistemin e traut elektronik, duke eliminuar doganierin e traut dhe duke bërë që mallrat të kalojnë menjëherë pas klikimit të bar kodit.

“Pas printimit të kësaj deklarate ose pas marrjes së deklaratës, e cila është tërësisht në formë elektronike nëpërmjet një bar kodi dhe elementëve të tjerë të sigurisë që do të jenë totalisht elektronike, të eliminohet ai që quhet si doganierit i traut, duke qenë se thjesht nëpërmjet një smartphone do të bëhet e mundur që, nëse deklarata është çliruar ashtu siç duhet dhe janë paguar të gjithë detyrimet, do të bëhet e mundur dhe hapja e traut.”

Ky projekt eliminon kontaktin fizik me doganierët për pjesën më të madhe të bizneseve.