Këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira e ka zhvilluar karrierën e saj në Greqi. Ajo kurrë nuk e ka mohuar prejardhjen e saj edhe pse shumë e kanë paragjykuar, përkundrazi tani më krenare se kurrë nuk e mohon origjinën e saj.

Para disa ditësh ajo mbajti koncertin në sheshin ‘Skënderbej’ ku ka pohuar se ishte një eksperiencë mjaft e bukur dhe shumë emocionuese. Gjatë një interviste në emisionin ‘Jonida Podcast’ ajo ka rrëfyer për largimin nga atdheu si dhe përjetimet e para në Greqi.

“Më kanë mbetur pak kujtime, por ato pak i kam shumë të forta. Nuk mbaj mend shumë nga vendlindja, Patosi, por kujtoj shumë gjëra nga vendi ku jam rritur, Vlora. E mbaj mend si një vend të bukur pa rrugë, sepse 25 vite më parë nuk kishte. Ndihesha shumë e lirë dhe e lumtur në atë vend.

Kur filluan të ndodhnin rrëmujat e piramidave në Vlorë, filluan të shtënat ndaj ne vendosëm të linim Shqipërinë sepse nuk kishim më lek. Në fillim ishte shumë e vështirë sepse po nisnim jetën nga e para.

Mami dhe babi vendosën të na flisnin greqisht në mënyrë që ne të mësonim shumë shpejt dhe të mos kishim probleme me shkollën”- tregon këngëtarja teksa ndërthur shqipen me greqishten.