Një nga skuadrat më të vjetra të futbollit italian, Genoa, nga dita e sotme është zyrtarisht në shitje. Përmes një postimi në rrjetet sociale, klubi xhenovez deklaron se ka nisur procedurat për të ndryshuar pronësi.

Ekipi që numëron 9 tituj kampionë në Serinë A dhe i themeluar në vitin 1893 (125 vite më parë), aktualisht është në pronësi të Enrico Preziosi. Vendimi është marrë këshilli drejtues i klubit, që aktualisht rrezikon rënien në Serinë B.

“Genoa Cricket and Football Club S.p.A. komunikon se ka autorizuar shoqërinë e konsultimit financiar Assietta S.p.A., e specializuar në të tilla operacione, si këshilltar për shitjen e shoqërisë. Bashkë me këtë shoqëri do të operojë edhe një ent tjetër, i profilizuar në arenën ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e klubit.

Për momentin nuk ka asnjë informacion në lidhje me personat apo shoqëritë e interesuara për blerjen e klubit të Genoa, apo shumën që do të shitet. Skuadra drejtohet nga trajneri Cesare Prandelli.