Tre ditë para zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, pra në datë 27 Qershor, Presidenti Ilir Meta dekretoi datën 13 Tetor si datën e re të zgjedhjeve në Shqipëri. E ndërsa vendimi për zhdekretimin e 30 Qershorit u botua menjëherë pas firmës së Presidentit, ndryshe ka ndodhur me dekretin e dytë për datën e re. Afati për botimin e dekretit është 10 ditë, por tashmë ka kaluar dhe Qendra e Botimeve Zyrtare nuk e ka zbardhur.

I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, Gert Shella u shpreh se ‘ligjvënësi ka vendosur për botimet zyrtare, por jemi në pikën që qendra e botimeve zyrtare ndryshe nga sa ka bërë deri tani, si me dekretin e parë, nuk e ka botuar dekretin e fundit, edhe pse kanë kaluar 10 ditë’. Tashmë pritet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e radhës e kreut të shtetit. Qendra e Botimeve Zyrtare është institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

QBZ ka si funksion publikimin e akteve normative në fletoren Zyrtare dhe hyrjen e tyre në fuqi pas publikimit. Ajo publikon gjithashtu Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, kodet dhe përmbledhjet e legjislacionit në fusha të ndryshme duke mundësuar aksesin e publikut në informacionin ligjor. Për dekretin e parë të anulimit të datës së zgjedhjeve, Presidentit nuk iu bind KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor e rrëzoi, ndërsa shumica e vendosur zhvilloi zgjedhjet, ndërsa për dekretin e dytë kreut të shtetit nuk i është bindur Qendra e Botimeve Zyrtare.