Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me anëtarë të Dhomës së Lordëve në Londër, aty ku ndodhet prej ditës së premte. Në bisedimet me to Basha sipas mediave televizive u ka treguar për situatën në vend dhe për nevojën e një qeverie të dalë nga vota e lirë.

“Do të marrim masat e nevojshme duke kryer vetingun e politikanëve dhe goditjen e krimit. Nëse krijohet një qeveri e dalë nga vota, atëherë do të mund të luftohet siç duhet krimi i organizuar”, citohet tu ketë thënë Basha anëtarëve.

Kujtojmë se kryeministri Rama e ka akuzuar shpesh Bashën se shkon e hedh baltë mbi imazhin e Shqipërisë në vende jashtë kufijve. Madje për marrëveshjen e 17 majit 2017, Rama ka thënë se kishte dy kushte.

Lexoni deklaratën e Ramës si më poshtë:

“Kjo lloj balte dhe zifti godet edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në botë dhe ua komplikon jetën. Kur nënshkruam me Bashën marrëveshjen, i kërkova dy gjëra, rezultati nuk kontestohet dhe Shqipëria nuk shahet në gjuhë të huaj, por u desh një sezon veror që të dyja këto pikat avulluan dhe avazi rifilloi. Kontestohet fitorja e thellë e PS-së, sepse një tjetër humbje e thellë po afron për PD-në dhe simotrën e saj LSI-në, e cila është mishëruesja e fenomenit të shit-blerjes së votave. Po të mos kishte LSI, nuk do të kishte shit-blerje të votave në Shqipëri”.