Nga Altin Ketro

Në morinë e emrave të propozuar për ministra nga kryeministri Rama, nisur edhe nga debati mediatik që po shoqëron këtë periudhë tranzitore deri në betimin e tyre në Kuvend, më kanë tërhequr vëmendjen tri emra që për mua përbëjnë risinë kryesore të kabinetit të ri qeveritar. Ato janë emërimi i deputetit Erion Braçe në detyrën e zëvendëskryeministrit, si dhe emrat e dy shqiptarëve të Kosovës, Gent Cakaj e Besa Shahini, ndonëse ende të pa dekretuar nga Presidenti, respektivisht si ministra të Punëve të Jashtme e të Arsimit.

Kanë kaluar më shumë se 23 vjet kur Erion Braçe, dikur një i ri freshist, nisi të ngjisë shkallë- shkallë përfaqësimin e tij në politikën e spektrit të majtë. Asnjëherë i katapultuar, por gjithçka e fituar me punë e përkushtim individual. I paepur në bindjet e tija ai kurrë nuk bëri kompromise meskine politike me kundërshtarët e PS-së, duke u identifikuar gjithnjë si pjesa përbërëse e përfaqësuese e shtyllës kurrizore të PS-së.

Ndër të rrallët deputetë në Kuvend, e jo vetëm, që nuk flet qesim, por vetëm bazuar në prova e fakte të shoqëruara me dokumentet përkatëse. Si i tillë ai krijoi profilin e politikanit që ishte tepër e vështirë t’i replikoje dhe e vetmja mënyrë që kundërshtarët kanë pasur për ta sulmuar ishte ta përqeshnin nga fiziku i imët që ka.

Dhe, më në fund, erdhi edhe dita e tij. Personalisht nuk mund ta konceptoja dot se qeverisja e PS-së do mbyllej pa i dhënë mundësinë Erion Braçes të ishte pjesë e ekzekutivit. Përzgjedhja e zotit Braçe për të qenë numri dy i qeverisë është një nga vendimet më të drejta që ka marrë kryeministri Rama sa i përket emrave që kanë shoqëruar qeveritë e tij.

Relativizimi absurd që i bën ndonjë analist sylesh se zëvendëskryeministri ka thjesht “çelësat e kashtës”, vjen për faktin se ai ngatërron periudhat. Nuk jemi më në kohën e qeverisë “Berisha”, ku zëvendëskryeministrat e kohës kishin me të vërtetë çelësat e kashtës. Ata kishin edhe portofol ministror por kurrë nuk qenë numrat dy të qeverisë. Sepse Berisha ishte vetëm një dhe i pa zëvendësueshëm. Përgjatë 8 viteve të tij të qeverisjes nuk mbaj mend që ndonjë zëvendëskryeministër i tij të ketë drejtuar mbledhjet e nënshkruar aktet e qeverisë. Mbledhjet ishin eskluzivitet drejtimi vetëm i Berishës i cili kishte edhe maninë e sëmurë që përpara mbledhjes së qeverisë të mbante edhe një orë ligjëratë monologu përpara kamerave duke akuzuar nga fillimi në fund vetëm opozitën e kohës.

Ndërkohë që nën qeverisjen Rama zëvendëskrymeinistri ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në koordinimin e punës së ministrave dhe agjensive nën varësi të qeverisë. Qenia e Erion Braçes tashmë në këtë detyrë do të jetë një vlerë e shtuar në ritmin e lartë që kërkojnë reformat e thella strukturore në çdo qelizë të qeverisë. Besimi që Rama i ka dhënë atij si dhe delegimi i përgjegjësive për të pasur kompetenca të plota në vendimmarrje sidomos tek lufta kundër korrupsionit e nepotizmit janë shumë domethënëse. Personaliteti i fortë politik dhe aftësia e tij organizative do të jetë një befasi e bukur për këdo paragjykues kalemxhi dhe një kambanë alarmi për ata që e nënvleftësojnë duke u nisur nga fiziku. Uroj ta marrin shumë seriozisht sepse Erion Braçe për nga këmbëngulja për t’i shkuar gjërave deri në fund sfidon suksesshëm edhe vetë kryeministrin Rama i cili njihet në këtë lëmë.

Risia tjetër janë Gent Cakaj dhe Besa Shahini, sepse pas shumë dekadash përfaqësojnë Kosovën në ekzekutivin e Shqipërisë dhe për herë të parë në demokraci. Askush veç Edi Ramës nuk mund ta bënte këtë. Të rinj, por plot bagazh intelektual. Një sfidë që shumëkush po e sheh në këndvështrimin e moshës, pa u thelluar se çfarë aftësish zotëron secili prej tyre.

Dhe, arsenali më i madh i gjyleve të topave është drejtuar nga Gent Cakaj. I vënë në dukje mos pasjen e përvojës diplomatike, apo që i nxjerrin si handikap që “nuk e njeh as lagjja e vetë e jo më kancelaritë evropiane”.

Po mirë, ju more ish-a, nuk ju bën përshtypje fakti që ai ka qenë më parë këshilltar diplomatik i kryeministrit Rama? Që do të thotë se ka punuar me kohë të plotë në një detyrë që ta kërkon vendi i punës për t’u ushtruar fuqishëm në punët e diplomacisë.

Po fakti tjetër që ai shërben ende si zëvendës i ministrit Bushati në MEPJ dhe koordinator kombëtar për integrimin në BE? Që do të thotë se ka punuar me kohë të plotë në institucionin që është propozuar për të qenë titullar duke marrë edhe eksperiencën administrative, përpos asaj diplomatike, të drejtimit të punëve.

Si është e mundur që ia fshini me një të rënë të lapsit këtë eksperiencë pune pikërisht në fushën ku është propozuar si ministër dhe ia hidhni opinionin publik si një thelë mishi për ta shqyer të uritur duke menduar se ministër i jashtëm të bën vetëm fakti që të kesh qenë shkrimtar oborri, reanimator në spital, përkthyes letrash për dënimin e komandantëve të UÇK-së, mjek veteriner, apo ta kesh emrin Aldo Bumçi. Kurse formimi perëndimor i zotit Cakaj në filozofi, shkenca politike dhe juridike, si dhe eksperienca në vijueshmëri në punët e diplomacisë duhen shumëzuar me zero, sepse nuk të lënë kokat e lartpërmendura të “diplomacisë” të ngresh kokë.

Edhe diversioni i “kosovarit” Sali Berisha se Gent Cakaj është sponsorizim i qarqeve serbe nëpërmjet gazetarit Baton Haxhiu, është i neveritshëm. Ndërkohë që Sali Berisha këtë akuzë të shëmtuar ndaj Gent Cakajt e bën vetëm nga smira dhe kompleksi i inferioritetit, ku askush më shumë se ai s’i ka shërbyer qarqeve serbo-sllave, shërbim që e dekonspiroi me naivitet ish presidenti malazez Momir Bulatoviç, ashtu sikurse gjithë opozita është në të drejtën e saj të përflasë çdo emër që vjen nga qeveria, mbetet e paqartë se përse edhe analistët mediatikë bien preh e kësaj loje politike duke mos u thelluar fare që ta njohin personalisht zotin Cakaj përpara se ta gjykojnë apriori thjesht nga mosha e tij.

Personalisht i jap të gjithë mbështetjen dy shqiptarëve të Kosovës, Gentit dhe Besës, ashtu sikurse nuk mund ta çoj ndërmend se Presidenti Meta do bëjë gafën e rëndë juridike, politike dhe historike që brenda afatit kushtetues të mos i dekretojë ata si ministra. Do të ishte për të dhe institucionin e lartë që përfaqëson një njollë turpi e pashlyeshme.

(TemA)