Nga Alfred Peza/

Pas 30 Qershorit, asgjë nuk do jetë më si më parë, në skenën politike shqiptare dhe në të gjitha aspektet e tjera të jetës shoqërore të Shqipërisë. Ndaj, çfarëdo që të thonë e çfarëdo që të bëjnë në protestën e 8 Qershorit në Tiranë, asgjë nuk do arrijë dot, për ta ndryshojë këtë realitet.

Për të gjithë ata që kanë pritur për 30 vjet me radhë fundin e tranzicionit dhe fillimin e një epoke të re, të bëjnë durim deri më 1 korrik. Deri atëherë kanë mbetur edhe vetëm tri javë. Po, po. Edhe tri javë. Ndaj kushdo që për një arësye ose një tjetër ndihet i presionuar, i deprimuar, i pasqaruar, i trysnuar apo i shqetësuar, të çlirohet. Ta mari stresin lehtë. Me sportivitet. Me urtësi.

Sepse, gjatë këtyre tri dekadave të postkomunizmit, ky popull ka parë edhe 1991, edhe 1992. Edhe 1997, edhe 1998. Ka parë edhe 2001, edhe 2002. Sikundër ka parë edhe tragjedinë e Gërdecit edhe atë të 21 janarit. Për të gjitha këto dhe për shumë e shumë zullume të tjera, të asaj pjesë të elitës politike të kriminalizuar dhe të korruptuar, ka trokitur më në fund ora e drejtësisë.

Ndaj duhet të kuptoni dhe ta mirëkuptoni, se përse lidershipi i opozitës së rrugës, sot ka frikë:

Ka frikë për të gjitha ato që ka bërë, nga përballja me veten, në pasqyrën e historisë.

Ka frikë nga për të gjitha ato që na kanë bërë, nga përballja me shqiptarët, në ditën e votimeve më 30 Qershor.

Ka frikë nga tradhëtia ndaj të vetëve, që i kanë besuar këto 30 vjet ashtu si edhe në 2017, ndaj i dogjën mandatet e tyre dhe dolën nga sistemi politik.

Ka frikë nga Drejtësia e re që nuk e komandojnë dot më si Drejtësinë e vjetër, që i la gjithë shqiptarët pa gjumë këto tri dekada, vetëm e vetëm që ata të flinin rehat.

Ka frikë nga SPAK dhe BKH që u dalin çdo natë në ëndërr. Ua kanë prishur gjumin përjetësisht. Ndaj kërcënojnë. Shajnë. Mallkojnë. E duan që të imponojnë me dhunë, prishjen e rregullave të lojës demokratike, që ta rifillojnë lojën e vjetër, nga e para.

Ka frikë përpara Ditës së Gjykimit që ka trokitur, ndaj edhe pikat kryesore të programit të qeverisë Tranzitore që propozojnë, janë ato për prishjen e reformës në drejtësi.

Ka frikë se nuk i fshehin dot më zullumet e tyre, ndaj duan pushtet në tavolinë, sipas devizës së vetme që kanë tashmë: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita!”

Për të gjitha këto, e shumë gjëra të tjera, bëni durim edhe tri javë. Durim. Shumë durim. Vetëm tri javë. Tri javë sa për tri dekadat e shkuara. Tri javë, sa për 30 vjet, deri më 30 Qershor.

Tri javë. Vetëm tri javë. Tri javë durim, qetësi dhe vendosmëri. Sepse tri javë nuk janë asgjë në jetën e një njeriu. E jo më për jetën e një familje. Për jetën e një qyteti. Për jetën e një shteti. Për jetën e një populli. Për jetën e një kombi. Për historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Tri javë. Vetëm tri javë. Për ti dhënë fund tri dekadave pritje. Tridhjetë viteve durim. Deri në 30 Qershor. E më pas, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Sepse pas 1 korrikut e tutje, nëpërmjet sistemit të ri të drejtësisë, nëpërmjet institucioneve të reja të saj, do të nisi KATARSISI.

Për të gjithë ata që e kanë harruar këtë fjalë kyçe që ishte kryefjala e zhvillimeve politike të këtu e 15 viteve të shkuara, po u sjell shpjegimin e fjalorit të gjuhës shqipe për domethënien e këtij termi mjekësor: KATARSIS do të thotë “operacion i thellë për pastrimin e plotë të një plage”.

Pas 30 qershorit fillon pastrimi i plotë, i thellë dhe gjithpërfshirës i një plage të madhe për Shqipërinë postkomuniste: Fillon largimi i “qelbit” politik nga trupi i këtij vendi, që po cfilitet prej 30 vjetësh në kërkim të normaliteti. Për të vijuar më pas, me trupin e shëndoshë, që të vrapojë pa u ndalur për 30 vitet e ardhshme, drejt Shqipërisë europiane.