Programi kombëtar për mbështetjen e bujqësisë do të garantojë edhe këtë vit mbështetje financiare për fermerët shqiptare.

E ftuar në studion e ERTV-së, Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, ka shpejguar se cilët sektorë do të mbështeten specifikisht me masa të caktuara financiare.

Krifca sqaroi se tre janë shtyllat kryesore të mbështetjes për bujqësinë. Së pari rritja e konkurueshmërisë së produkteve blegtorale përmes pagesave direkte që bëhen për fermerin si dhe për peshkimin dhe bletarinë. E dyta zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit dhe shtylla e tretë, diversifikimi i ekonomisë rurale nëpërmjet mbështetjes së agroturizmit dhe bujtinave.

“Masë për masë, do të kryhen pagesat për kashët e matrikulluara. Paguhet për tufën bazë 1 mijë lekë për krerë, për dele dhe për dhi, dorëzimin e qumështit që është lënda e parë, 10 lekë për litër. Më pas kemi mbështetjen ndaj anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, me vlerën 20 lekë për açuge dhe 20 lekë për sardelen të peshkuara dhe të tregtuara në stabilimentet e përpunimit. Mbështetje për mbarështimin e bletarisë me 1 mijë lekë për koshere”, tha Krifca.

“Për bujtinat nga 6 me 10 dhoma do të mbështesim me 5 milionë lekë të reja, invesitme që rrisin kapacitetet e tyre mikpritëse. Do të mbështesim edhe ato subjekte të agroturizmit që nuk kanë mundësi të përfitojnë nga programi i IPARD-it me 50 përqind të vlerës së investimit, deri në 10 milionë lekë të reja investime”, shtoi drejtuesja e AZHBR.

Mbështetje të konsiderueshme do të marrë këtë vit edhe sektori i ullirit në vend.

“Mbjellja e ullinjve në vlerën 350 mijë lekë për hektar, për format intensive të mbjelljes, 250 mijë lekë për hektar, për format tradicionale të mbjelljes. Për kultivarin autokton masa e financimit shtohet me 50 mijë lekë të reja për hektar, kjo një masë incentivuese që të prodhohen ullinj me prodhimtari të lartë. Gjithashtu mbështetet edhe instalimi i ujitjes me pika që shkon në 250 mijë lekë për hektarë, në blerjen e makinerive për vjeljen e ullirit, me 50 përqind të vlerës totale të faturave tatimore, shumë që shkon deri në 5 milionë lekë. Më pas do të mbështesim edhe blerjen e pajisjeve për prodhimin e vajtit të ullirit në 50 përqind të shumës së vlerës së faturës tatimore, deri në shumën 20 milionë lekë për subjekt.”, tha Krifca.

Aplikimi për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes fianciare bëhet më një numër nipti dhe kartë identiteti sipas parimit me zero dokumenta pranë agropikave.

Të gjithë fermerët do të kenë kohë për të aplikuar nga 23 prilli deri në 10 maj për skemat direkte dhe deri në 17 maj për skemat e investimeve.