Disa ditë më parë ndoqa shfaqjen “Norm dhe Ahmed”, një tekst i Aleks Buzo, përkthyer nga Diana Çuli, me regji të Armand Borës.

Teksa po e ndiqja, m’u duk një grimësi, një vërshim fjalësh që ecejakeshin si ato valëzimet, kur një gur bie në syprinë të ujit, duke u hapur në një mori qerthujsh tej e më tej gjersa shuheshin. Shihja sesi përpëlitej personazhi i Norm-it, i luajtur nga Gert Ferra, pikërisht në ata qerthujt e ngushtë të një psike tejet të rënduar e të rrënuar njëkohësisht, që vuante dyzimin e tij tragjik, por jo vetëm.

Në mendjen e tij fshihej diçka e errët, si e “trashëgueshme”; ajo rrekej të dilte jashtë, ndofta në një çast të humbjes së qetësisë dhe drejtpeshimit të tij, për të nxjerrë nga strofulla e errët bishën e egër të qenies së frustruar e të traumatizuar. Por “bisha” rrinte brenda në strofkën e vet, strukej aty, skërmitej. Nuk dilte. Priste një çast. Një çast të vetëm. Si ai tigri që rri e pret drenushën, i fshehur pas gëmushës, me veshët e ngritur përpjetë. Krejt-krejt në tension. Dikur, aty nga mesi i monologëve të gjata të Norm e nën trysninë e vetëdijes së tij të turbullt, ngërçi doli befas sipër dhe ai iu vërsul në pavetëdije bashkëbiseduesit të tij, Ahmedit, një djaloshi pakistanez të butë, të mençur dhe social.

…E kuptova se fjala në dramë do të vërtitej rreth racizmit, asaj shtrese të errët që fle brenda njeriut dhe që befas kërcen e gjakos porsa dikush e përligj me një ideologji (siç bënë hitlerianët me hebrenjtë, të eksituar nga doktrina antihumane, delirante e semitiste e “Maj kampf”-it të Adolf Hitlerit), ose të bardhët europianë me indianët e Amerikës, më tutje me aborigjenët e Australisë, apo siç bëjnë sot terroristët islamikë të verbuar nga urrejtjet racore e më gjerë.

Ndonëse këto pogrome raciste të papara e të mbushura me ploja gjaku, me asgjësime fizike të mbarë popullsive vendase, i takojnë historisë dhe viteve të largët, ndonjëherë edhe shekujve, prapë se prapë s’duhet veçse një shkëndijëz që zjarri të ndizet rishtazi dhe urrejtjet të shndërrohen në “ligjet e xhunglës” ku njëri shfaros tjetrin, në një vëllavrasje që s’ka as arsye, as normë humane, as përligjje fetare e as normë juridike. Dhe kjo “shkëndijëz”, ashtu si bisha e fshehur e në përgjim për prenë fatkeqe, gjen veçse një çast dhe vërsulet e gjakos, sikurse bën në fund edhe Norm duke e mbytur papritur Ahmedin, sajë një shkulmi urrejtjeje, e cila rrinte fshehur brenda tij. Dhe këtu drama e shfaqja mbërrinin në klimaksin e vet, pasuar më tej nga një hutim i përgjithshëm prej këtij shpërthimi irracional.

57162541_10155914334027121_7229615782458556416_n

Dhe të mbetur pa frymë e nën tragjiken e krimit të beftë, shfaqja mbyllet me ndoca fjalë retorike të rrëfimtares (që luan rolin e shkrimtares), më të shumtat në formë didaskalie e ligjërimi propagandistik, që na tërheq vëmendjen neve si spektatorë për pasojat dhe katastrofat e urrejtjes, nevojën për ta mbajtur nën zinxhirë atë, për ta mundur përmes dashurisë njerëzore, përfaljes, së mirës, dhembshurisë, paqes e të tjera mësimeve morale kësisoj… E thashë se si tekst, ani pse ka një ide dhe shqetësim fare të fundit për shoqërinë, pra, racizmin, gjithsesi m’u duk se kishte shumë fjalë dhe më pak peripeci, veprim. Doemos, se ka dhe tekste të tilla ku ligjërimi fjalësor është elementi bazik dhe ku ndodhitë dhe veprimi zhvendosen pas tyre.

Por në raste të tilla do të lipsej një rindërtim disi më ndryshe i dinamikës së marrëdhënieve, sidomos i mizanskenës, për të implementuar aty më shumë energji, një shfrytëzim më të madh të hapësirës, të lëvizjes, në mënyrë të veçantë të veprimeve e të çasteve me ngarkesë simbolike, me gjetje që komentonin gjendjet e kamufluara të Norm, psikën e tij të rrënuar dhe tejet të tjetërsuar. Kjo do ta rriste trysninë e aktit skenik, pa e kërkuar atë vetëm te fjala dhe kujdesi ndaj saj, sikurse është realizuar kjo edhe nga aktori Gert Ferra.

Do të mendoja se gjetje të tilla do ta bënin më joshëse shfaqjen, ashtu sikurse pata idenë fillestare se rrëfyesja (shkrimtarja e Gladiola Harizaj) do të ndërhynte disa herë në dialog, duke u shndërruar në një sinjal të përsëritur të rrezikut prej turbullirës që e kaplonte herë pas here personazhin qendror (jo domosdo me fjalë, por edhe me mënyra të tjera). Ilustrimet që vijnë nga ndeshjet e ndryshme sportive në ekran, sido që e luajnë jo keq funksionin e tyre asociativ mbi atë çka ngjet në skenë, ndofta edhe më mirë do të qe po të vinin në ekranin bashkëshoqërues “ndeshje” e vrasje të tjera, tanimë ato në jetë, sepse sporti gjithsesi është sport, spektakël, i pranuar nga të gjithë, i arbitruar dhe me rregulla të forta.

Ky detaj dhe detaje të ngjashme plotësuese mund ta bënin shfaqjen edhe më domethënëse. Sa i përket lojës, të dy aktorët arritën të ndërtojnë marrëdhënie të drejta dhe gjegjësisht qasjeve e qëllimeve të personazheve të tyre. Më bëri përshtypje të mirë ajo vajtjeardhja e Gert Ferrës, hiq e mos këput, që porsa Ahmedi shfaqte para tij ndrojtje a diku një frikë të largët, ai e ulte tonin, “strukej” në folenë e vet prej tinëzari, e zeronte çdo rrezik të mundshëm dhe ofronte mirëbesimin e tij deri në një dashuri fisnike dhe një mirëkuptim moral, madje politik e ideologjik lidhur me diversitetin kulturor, me mirëkuptimin që duhet të zotërojë midis njerëzve me përkatësi të ndryshme, sidomos atë racor. Pikërisht kjo ka qenë dhe më e vështira për aktorin dhe mendoj se ai iu gjegj bukur e me mjete aktoriale përkatëse.

Një sjellje “ndryshe” në raport me Norm solli Lulzim Zeqja në rolin e Ahmedit. Gjithnjë e më mirë ky aktor po e dëshmon veten në profile të ndryshme karakteresh njerëzore. Edhe me Ahmedin ai dha shëmbëlltyrën e një njeriu të butë e të urtë, disi të trembur dhe jo të sigurt nga atmosfera refuzuese që ndjen përreth, edhe pse është fort i talentuar e me dhunti. Por i mashtruar nga tinëzia e Norm, sikurse vetë natyra e tij ishte miqësore, solidare e pranuese, ai pa dashur bie pre e krimit.

Loja që aktori bën me përtypjen e fjalisë dhe shkërmoqjen e saj në një si belbëzim, ta them-mos ta them, e shpërfaq mirë ndrojtjen e tij, dyshimin, frikën. Ky plan aktorial duket më i përpunuar dhe ngjall më shumë emocion. Plani tjetër kur Ahmed mbërrin në një entuziazëm rinor përplot inspirim, i ngacmuar nga biseda me Norm dhe tema e hapur për qëndrimin ndaj abuzimeve të policisë, shtetit, të pasurve dhe shkeljen e së drejtës, jo përherë aktori arrin nivelet e atij përpunimi të hijshëm artistik si me të parin.

Ndofta te ky plan aktori mund të shfrytëzonte ca më mirë edhe elemente të tjerë përveç fjalës, pasi falë mënyrës sesi aktori e sjell këtë figurë simpatike që ngjall dhembshuri, ne dallojmë njeriun e mbushur me ideale, një emisar të ri të së drejtës, në një vend ku liritë shpesh shtypen dhe ku abuzimi i pushtetit është edhe më i rëndë. Ky tekst në formën e një diadrame psikologjike, i pritur ngrohtësisht nga publiku, apelon fort për solidaritet mbarënjerëzor, refuzimin e racizmit si dhe të çdo diferencimi tjetër përçarës, që frymëzojnë veprime kriminale dhe ndezin urat e armiqësive midis popujve.

Ca më shumë ky apel, që fillimisht në Shqipërinë e vetëmbyllur na dukej fort i largët, sot tingëllon shumë aktual për spektatorin tonë, qoftë për vetë emigrantët e shumtë shqiptarë që kanë bujtur në vendet e ndryshme të Europës, qoftë dhe sidomos për emigrantët e ardhur nga vende e popuj të tjerë që aktualisht jetojnë e punojnë në Shqipëri. Por shfaqja është njëherazi edhe një apel human e moral mbi një realitet të pritshëm nesër, kur Shqipëria të pranojë edhe më shumë emigrantë nga vende me një përkatësi tjetër racore, etnokulturore, fetare dhe të qytetërimit në përgjithësi. (Panorama)