Humbja e një numri të madh të ndjekësve në Twitter është një prej shqetësimeve kryesore për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump. Nuk janë pak por 204 mijë ndjekës, që janë zhdukur dhe kjo e ka alarmuar Presidentin e SHBA. Ai ka thirrur në një takim urgjent shefin ekzekutiv të Twiterit Jack Dorsey për t’i kërkuar shpjegime. Trump ka deklaruar se kjo platformë nuk e trajton mirë duke aluduar madje se kjo ndodh për shkak të politikave që ai ndjek e nga ana tjetër Twitter sipas tij favorizon demokratët.

Mesa duket nuk ka qenë në dijeni të një operacioni të ndërmarrë nga ky rrjet social për të fshirë të gjitha llogaritë false. Në përfundim të tij ka rezultuar se 204 mijë persona që ndiqnin presidentin e Shteteve të Bashkuara anë Twitter kishin profil të rremë. Themeluesi i platformës ka qetësuar kreun e Shtëpisë së Bardhë duke e informuar mbi ndërhyrjen që kishin bërë dhe i ka shpjeguar se kjo ka ndodhur me shumë personazhe të famshëm.

Pas takimit Donald Trump shkroi në Twitter se ishte i kënaqur nga shpjegimi që mori. “Takim i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë me Jack Dorsey të “Twitter”. Diskutuam tema rreth platformës dhe për botën e medies sociale në përgjithësi. Jam i gatshëm për të mbajtur një dialog të hapur”, deklaroi presidenti amerikan. Kjo nuk është hera e parë që rrjetet sociale ndërmarrin nisma të tilla pasi janë konstatuar miliona profile të rreme.