Ndërsa Partia Demokratike është duke organizuar protesta të dhunshme, për të rrëzuar atë që sipas saj është një qeveri që përditë varfëron shqiptarët, djali i ish-Kryeministrit Berisha, Shkëlzeni, i lejon vetes që të blejë një pasuri pothuajse 2 milionë euro në afërsi të Gërdecit.

Lexo.al zotëron dokumentat që provojnë këtë blerje të bërë nga Shkëlzeni, për llogari të firmës “Logal”, në të cilën ai figuron si aksioner i vetëm.

Sipas kontratës, prona është blerë përmes një kredie prej 1,8 milionë eurosh, por nuk saktësohet nëse përtej kredisë është shtuar edhe një vlerë shtesë nga ana e djalit të ish-Kryeministrit.

Mbetet i dyshimtë fakti që për marrjen e kësaj shume, Shkëlzen Berisha ka lënë peng disa toka arë, si dhe një godinë, të ndodhur në Marqinet.

Ajo që e bën të dyshimtë kontratën është që sipas vlerësimeve të referimit, tokat arë në zonën e Marqinetit kanë një vlerë shumë të vogël dhe në pamje të parë, duket se pronat e lënë peng nuk arrijnë të tejkalojnë vlerën e principalit.

Kjo është një e dhënë që për hir të transparencës publike, duhet të shpjegohet më mirë nga djali i ish-Kryeministrit, ashtu siç duhet të shpjegohet edhe prejardhja e pushimeve luksoze, pothuajse të përmuajshme, që Shkëlzen Berisha dhe partnerja e tij, Armina Mevlani, kryejnë në disa prej vendeve më ekzotike, e njëkohësisht më të shtrenjta të botës.