Nga Carlo Bollino/

-Gazetari që duhej të çertifikonte vërtetësinë e Babales u dënua për shpifje ndaj meje

Çertifikuesi i vërtetësisë së deklaratave të “bashkëpunëtorit X” Albert Veliu është një shpifës, tashmë i çertifikuar. Jetmir Olldashi, autor i investigimit të çuditshëm gazetaresk, që kishte si protagonist ish-trafikantin e njohur si “Babalja”, është dënuar për shpifje me një vendim nga Gjykata e Tiranës, që tashmë ka marrë formë të prerë.

Artikullin paksa patetik, me të cilin disa ditë më parë iu kërkonte solidaritet kolegëve, pas publikimit të përgjimeve të pretenduara mes Agron Xhafajt dhe Babales, Jetmir Olldashi e përfundonte me këto fjalë: “Për një gazetar, ajo që ka rëndësi është e vërteta”. Sa cinike dhe ironike kjo, për një gazetar të sapodënuar për shpifje.

Jetmir Olldashi është dënuar për një artikull të publikuar në portalin e tij online më 17 qershor 2016, të titulluar “Lali Eri dhe Karo Bolino, xhelatët e fjalës së lirë”. Një enciklopedi banalitetesh, shpifjesh dhe fyerjesh, në të cilën nuk kishte as edhe një rresht të vetëm me të vërteta. I ashtuquajturi “gazetar investigativ” kishte vjellë mbi fletushkën e tij dixhitale çdo helm të mundshëm dhe çdo fantazi të mundshme kundër meje, pa u përpjekur as edhe për një çast, nuk po them që të verifikonte, por qoftë edhe të përshkruante një fakt të vërtetë, apo një provë, apo një grimcë të vërtete. Nuk ishte hera e parë që investiguesi Olldashi shkruante falsitete të tilla për mua, gjithnjë pa prova e pa dokumenta, duke u frymëzuar nga ajo lloj gazetarie shpifjesh, të cilën që prej 25 vjetësh e përfaqëson dhe e nxit Sali Berisha.

I anëtarësuar në Partinë Demokratike, ndonëse paraqitet si gazetar i pavarur, Jetmir Olldashi imiton të njejtën teknikë të doktorit, duke lëshuar shpifjet e tij, por duke mbetur i fshehur pas anonimatit. Në kaosin informativ, që është ende në fuqi në Shqipëri sot e kësaj dite, për një qytetar të ndershëm është gati e pamundur të mbrohet. Është kjo një lloj “leje për të vrarë”, të cilën gazetarët-piratë dhe politikanët e dështuar e përdorin gjithnjë e më shpesh për të shfryrë mllefet dhe zhgënjimet e tyre.

Por më 17 qershor 2016, ndoshta i kapur nga një ripërtypje mëndjemadhësie, ka vendosur të shkruajë artikullin-fals të radhës kundër meje, por këtë herë duke e nënshkruar me emrin dhe mbiemrin e tij dhe duke publikuar, madje, edhe foton e tij, sikur të donte të vendoste mbi të një lloj vule. Dhe unë pata më në fund mundësinë për të kërkuar drejtësi. Në seancën e parë në Gjykatë, Jetmir Olldashi u paraqit në sallë dhe, krenar për punën e tij, i konfirmoi gjyqtares: “Po, unë jam autori i këtij artikulli”.

Por “gazetari investigativ” mbeti pa fjalë kur zbuloi se akuzat që kishte publikuar duhet që edhe t’i dokumentonte me prova. Prova? Dokumenta? Si kështu, që kur kanë filluar investigimet gazetareske të bëhen duke mbledhur prova e dokumenta? Jetmiri u pushtua nga e njejta habi që pak muaj më pas përjetoi edhe Sali Berisha: edhe atë e kisha denoncuar në Gjykatë për shpifje për një nga artikujt e tij plot falsitete, edhe ai me avokatët e tij mbeti pa fjalë kur zbuloi se edhe akuzat e tij ndaj meje duhej të provoheshin e të dokumentoheshin. Por, duke qenë se nuk kishte prova, edhe Saliu, pikërisht si dhe Jetmiri, u dënua për herë të parë në jetën e tij.

Jetmiri i gjorë, i cili, në 16 vjet “gazetari investigative” dhe pavarësisht nga një diplomë e pretenduar në gazetari, ende nuk ka mësuar rregullat më të thjeshta të profesionit të gazetarit (i pari nga të cilët është “të demonstrosh me dokumenta akuzat që shkruhen”), u zhduk nga salla e gjyqit dhe nuk u duk më aty. Madje fshehu edhe vend-banimin në Gjendjen Civile (askush nuk di më as se ku banon ai), duke shpresuar që, pa mundur të fshihej pas anonimatit, të paktën të fshihej fizikisht.

Avokati Gavrosh Andoni, i cili, me qetësinë e një profesionisti të aftë, më asistoi me durim në këtë betejë qytetarie, priti me durim, seancë pas seance, që Jetmir Olldashi “desaparecido” të vinte në gjyq për të dëshmuar vërtetësinë e akuzave të tij. Por Olldashi humbi pa nam e pa nishan: gazetari kurajoz investigativ iku nga sytë-këmbët përballë detyrës së tij profesionale që të thoshte të vërtetën. Kështu që gjyqtarja e dënoi të më dëmshpërblejë me 300.000 lekë (të reja) për dëmet morale të shkaktuara me shpifjet dhe fyerjet e tij, si dhe e ka dënuar që të botojë një përgënjeshtrim për artikullin kundër meje. Tani i takon Përmbarimit të arrijë të kuptojë se ku banon i fshehuri dhe ta gjejë, për ta detyruar që të ekzekutojë vendimin.

Është e bezdisshme të zbulosh se një personazh si ky Olldashi tashmë qenka bërë simboli i betejës për të vërtetën, që Partia Demokratike po zhvillon duke pushtuar sheshet dhe duke protestuar në Kuvend. Një aksion politik i një lëvizjeje të tërë opozitare, që përfaqëson votën e më se 400.000 shqiptarëve, e bazon besueshmërinë e vet mbi fjalët e një ish-trafikanti tashmë të arratisur jashtë dhe, tani, edhe të një gazetari të dënuar për shpifje.

/Shqiptarja.com