Kërcënimi me mesazhe dhe përndjekja disa ditore nga një 17-vjeçar është bërë shkak i vetëhelmimit me pesticide të një 16-vjeçarje në qytetin e Beratit dy ditë më parë.

Në gjendje të rënduar psikologjike e mitura, Adela Çaci merr aktin e vetëflijimit. Kjo gjendje e rëndë e saj nuk ishte vënë re nga familjarët, por as nga shokët e shoqet e klasës.

E mitura u dërgua nga familjarët në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Beratit. Duke marrë shkas gjendjen e saj të rënduar, e reja u dërgua për ndihmë më të specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme.

Adoleshentja ishte banuese në fshatin Fshatin Duhanas, ndërsa shkollën e bënte në gjimnazin profesional në qytetin e Beratit, ku ishte nxënëse në vitin e parë. Në të njëjtin gjimnaz është nxënës edhe përndjekësi i saj, David Kovaçi, i cili sipas policisë, tashmë është arrestuar.

Në një prononcim për Report Tv, drejtori i shkollës Ferik Koçi, shprehet se Adela ishte një nxënëse shembullore në mësime dhe e urtë. Ndërsa shton se personalisht ai, dhe askush nga shkolla, nuk kishin dijeni për kërcënimet që nxënësi i tyre i bënte 17-vjeçares.

Shqiptarja.com mëson se vajza nuk kishte bërë denoncim në polici. Blutë e Beratit ranë në gjurmët e 17-vjeçarit përndjekës, nga mesazhet e ruajtura në telefonin e vajzës. Siç Shqiptarja.com mëson me burime nga policia e Beratit, në telefonin e vajzës kishte mesazhe dhe thirrje të vazhdueshme nga 17-vjeçari i cili e kërcënonte se do t’i publikonte një video kompromentuese që ai dispononte. Prindërit e vajzës kishin disi dijeni në lidhje me këto kërcënime, pasi një ditë para se të pinte lëndë helmuese, vajza u kishte treguar se ndihej e shqetësuar nga shoku i gjimnazit.

Nga policia, është bërë i mundur arrestimi i 17-vjeçarit menjëherë pas analizimit të celularit.

Këtë të martë në mesditë mes dhimbjesh e lotësh, Adela është përcjellë për në banesën e fundit, duke u lënë një brengë të madhe në zemër familjarëve , dy prindërve Haxhi e Entuela si dhe dy motrave Luna e Paula.