ALMA MILE/ Prej tetë vitesh, Shqipëria është kthyer në një stacion të qëndrueshëm. Nuk e kishin menduar kaq gjatë…, por përtej vështirësive, gjithçka e kaloi pritshmërinë e fillimit. Dëshira për muzikë të mirë, për një tingull të pastër, për të zbuluar vende të reja e publik të ri, u bënë bashkë, duke e çuar “Different Festival” në edicionin e tetë. Organizatori i këtij festivali, violonçelisti Vlorent Xhafaj, që e ka çuar përpara këtë aktivitet, duke shfrytëzuar ambiente alternative, duke dalë përtej Tiranës, na tregon për edicionin e radhës, për instrumentistët e ftuar, solistë të orkestrave kryesore franceze (Olivier Dois, oboe; Eric Lacrouts, violinë; Laurent Verney, violë) dhe programin e përzgjedhur, ku “ballafaqohet” Mozart me kompozitorë të shek XX. Përzgjedhja është e larmishme, që nga vepra e një kompozitori, që nuk i mbijetoi Aushvicit, te një tjetër i periudhës elisabethiane, te muzika impresioniste franceze, deri te vepra e një autori të ri shqiptar me motive nga rapsoditë e Veriut. Një program që do të interpretohet sot në sallën Aula Magna në godinën “Iliria” të Universitetit të Tiranës pranë Qytetit Studenti. Qëllimi është që muzika të shkojë edhe aty, ku koncertet e këtij niveli janë shumë të rralla, për të mos thënë të asnjëherëndodhura.
Na duket si dje, kur për herë të parë prezantuat festivalin “Different trains”, por në fakt bëhen 8 edicione, si do ta përshkruanit këtë rrugëtim?

Është vërtet një rrugëtim si ju thoni, i cili na ka çuar të njohim e të prezantojmë një repertor mjaft të gjerë midis veprave qendrore të repertorit dhe atyre më pak të njohura. Kemi njohur dhe vetë si artistë shumë vende të Shqipërisë falë muzikës dhe në disa prej këtyre vendeve kemi luajtur për një publik mjaft të dashur, që nuk ka mundësi të dëgjojë në forma të tjera një koncert klasik në vendin apo rrethin social e kulturor që jeton.

I ka përmbushur pritshmëritë tuaja, a mund të thuhet se ka konsoliduar strukturën e vet apo gjithçka varet thjesht dhe vetëm te dëshira e mirë e një njeriu, që jeni ju?

Duke qenë se festivali filloi për një afat kohor më të shkurtër, mendoj se i ka kaluar pritshmëritë, që unë kisha. Kjo varet dhe nga dëshira e artistëve për të luajtur në Shqipëri dhe nga një publik i zgjedhur që i pret këto koncerte dhe na beson, por edhe nga kurioziteti dhe dëshira e sfidës për t’u përballur gjithmonë me diçka të panjohur, që janë çdo vit veprat e reja që sjellim dhe vendet e veçanta ku mbahen koncertet. Është një iniciativë e imja, por jam së bashku me një grup artistësh ndër më të mirët shqiptarë që mendojnë, sugjerojnë dhe bëjmë të mundur së bashku realizimin e këtij festivali. Ndihmë jashtëzakonisht të madhe japin po ashtu me mbështetjen e tyre edhe shumë njerëz të profesioneve të ndryshme në Shqipëri, pra, jo muzikantë, të cilët gjatë vitit, kur unë nuk ndodhem këtu, bëjnë të mundur promovimin dhe realizimin teknik të koncerteve.

Gjatë këtyre viteve keni sjellë emra të rëndësishëm shqiptarë e të huaj, por besoj se nuk mjafton dashamirësia për të ardhur në Shqipëri, pasi gjithsesi kërkon fonde, si ia dilni, pasi festivali juaj nuk është fitimprurës?!

Festivali nuk ka nevojë të jetë fitimprurës për të ekzistuar. E rëndësishme është që artistët të punojnë në mënyrë dinjitoze, pra, kundrejt një kontrate që njihet dhe në vendin ku jetojnë dhe honorari. Gjithashtu të realizohet pjesa e shpenzimeve të udhëtimeve, qëndrimit etj., në kushte që nuk dëmtojnë eksperiencën artistike. Në këtë sens kemi disa mbështetës privatë, tri ambasada që dëgjojnë sugjerimet tona për artistët e ftuar, si dhe një mbështetje nga Bashkia e Tiranës apo Ministria e Kulturës. Në përgjithësi, artistët që ftojmë janë të njohur nga publiku që njeh muzikën klasike dhe nuk kemi bërë kompromise edhe në ditë të vështira, në zgjedhjet artistike. Doja gjithsesi të tërhiqja vëmendjen ndaj zgjedhjeve artistike të bëra nga Ministria e Kulturës, pasi në këto vitet e fundit, sidomos ky vit, ka një sasi projektesh dhe cilësi të vogël, për mendimin tim, në fushën e muzikës, klasike apo më gjerë.

Këtë herë keni ftuar instrumentistë të angazhuar në formacione të rëndësishme në Paris, si i “joshët” të vinin në Tiranë, ma merr mendja nuk ishin paratë…

Shumë prej artistëve të ftuar janë kolegë prej vitesh, bota e muzikës klasike është e vogël dhe njihet në Europë. Duhet një ekuilibër midis artistëve të rinj e mjaft të talentuar, që i prezantohen pas kohësh publikut në Shqipëri dhe artistëve të konfirmuar në vite. Kështu, çdo njeri që e ndjek koncertin ka një pikë reference edhe personale. Gjithashtu, i rëndësishëm është afiniteti i artistit me repertorin që luan. Nëse ke shumë dëshirë të luash një vepër me disa artistë, shkon me pasionin e dëshirën për ta realizuar dhe plani financiar është dytësor. Por gjithmonë mbështetja financiare është e rëndësishme për ta realizuar festivalin si çdo vit me artistë të konfirmuar ndërkombëtarë e pa kompromise. Artistët francezë solistë të Operës janë kolegë në Paris dhe punën që bëjmë atje e kemi zhvendosur për disa ditë në Shqipëri.

Programi që keni përzgjedhur përmban vepra nga autorë të periudhave të ndryshme, vendeve të ndryshme… Mes tyre edhe të një viktime të Aushvicit… Ka një fije lidhjeje mes tyre, një fryme, një filozofi…?

Programi ka një fije lidhjeje nëpërmjet shembullit absolut në muzikë, Mozart, muzika e të cilit është e paprekshme nga perfeksioni stilistik e harmonik dhe 4 veprave të tjera të shekullit të XX dhe XXI, që sjellin 4 pamje nga mijëra format e stilet e shekujve modernë. Shekulli i njëzetë ishte shekulli, ku në çdo formë arti u shkrinë stilet e epokat dhe çdo autor shkroi, pikturoi apo kompozoi në stilin e tij personal. Kështu, nuk ka më periudha si klasicizmi apo romantizmi, por ka forma e stilistikë personale që zgjat pak vite apo pak muaj dhe del nga konteksti i kohës për autorët. Kështu, në këtë koncert do të kemi muzikën impresioniste të Jean Cras, një autor francez që ka një botë tërësisht imagjinare, pasi jetoi në anije gjithë jetën. Përmbajtja e tij, ashtu si folklori shumë prezent janë të para me këndvështrimin “si do doja të ishte”, një formë nostalgjie e përmbajtur. Më pas, një vepër e Klein, autor hebre-çek-gjerman, që u dënua në kamp përqendrimi nga regjimi për modernizmin e tij dhe elementet perëndimorë (influencë jazz dhe muzikë dekadente) si dhe për sarkazmën e muzikës së tij. Ky autor që pati një fund tragjik në moshën 26-vjeçare dhe që nuk njihej në vitet kur jetoi (1919-1945), është sot i konsideruar si një prej më të mëdhenjve; Muzika e një autori të ri shqiptar, Kreshnik Aliçkaj, me tematikë të muzikës rapsodike të Veriut të Shqipërisë, përdorim në modën shqiptare të instrumenteve dhe gjithashtu me ritmikë tipike të valleve shqiptare (2+2+2+3), atë ritmikë që të gjithë e njohim dhe e kërcejmë. Si dhe vepra e autorit më të madh anglez pas periudhës elisabethiane, Benjamin Britten, një klasik i modernizmit. Këta 4 autorë në pasqyrë me Mozart-in, janë 4 forma dhe mënyra të ndryshme të “urgjencës” ekspresive të artit muzikor në kohët tona të trazuara.