Nga Ardian V. Babaj

Ata që e kanë ndjekur me vëmendje sjelljen dhe veprimtarinë e z. Ilir Meta këto tre vitet e fundit janë në gjendje t’i japin shpjegimin e duhur aktit të tij të fundit, “anulimit” të zgjedhjeve vendore dhe, rrjedhimisht, thellimin e krizës morale, politike dhe kushtetuese të vendit. Akti i tij më i fundit e ka nxjerrë Presidentin e vendit “cullak” si një qytetar të papërgjegjshëm, politikan ordiner dhe “burrë shteti” pa kurrfarë vlerash.

Qysh në vitin 2016 kur po finalizoheshin procedurat e formulimit dhe miratimit të Reformës në Drejtësi, Ilir Meta nisi të shfaqë pa drojë kulimin që e karakterizon. Nën maskën e “ndërmjetësit politik”, të atij që qëndron mbi palët në konflikt, me parullën tinzare dhe hipokrite “me qetësi e dashuri” bëri çmos ta vononte, shtrembëronte dhe minonte atë. Në fund, i ndodhur përballë kërcënimit të “Luanit” u vu në rreshtin e turpit dhe të padinjitetit së bashku me gjysmën e deputetëve të tjerë dhe e votuan Projekt-Reformën, pa bërë as gëk as mëk. Është afër mendsh se këtë vetëposhtërim të imponuar Meta s’ia ka falur asnjëherë “Luanit” që quhet SHBA.

Pas zgjedhjes së gabuar si President i Republikës u pa qartë se do të ndiqte rrugën e pengimit dhe vështirësimit të punës së qeverisësve, megjithëse ata e kishin ngritur pameritueshëm në postin më të lartë shtetëror. Duke qenë se dikur i kishte shkëputur PS-së një pjesë të anëtarësisë dhe, me ta kishte krijuar një parti që shumë shpejt e ktheu në familjare dhe të tarafit, pa ide dhe as ideale por gjahtare postesh e përfitimesh financiare, Meta vendosi të jetë ose kryetar partie ose jashtë politikës, ose në pushtet ose ishte e kotë marrja me politikë. Për të dhe familjen e tij biologjike dhe ca larashë “politikë” nuk kanë fare rëndësi pozicionet politike, programet apo idetë politike të kundërshtarit. Ai mund ta bëjë atë aleat në çdo kohë ashtu siç mund t’ia fusë ujin e nxehtë nën këmbë sa herë t’i prishen interesat vetjake dhe familjare. Për të, vlerat e kundërshtarëve politikë varen nga qendrimi që ata mbajnë ndaj interesave të tij dhe jo ndaj interesave të popullit shqiptar. Sali Berishën që e mallkonte dikur dhe që e pati shoqëruar “si spurdhjak” në polici kur ishte vetë Kryeministër, më vonë e bëri mikun më të ngushtë, gjë që e shprehu edhe vjet duke thënë se “Me zotin Berisha kemi një kimi të veçantë” që, e thënë në gjuhën popullore, do të thotë “jemi dy trupa dhe një shpirt”. Arësyeja e vetme është se në vitin 2011 Sali Berisha, për interesat e pushtetit të vet dhe jo të Metës, e shpëtoi atë nga burgimi për korrupsion të kryer dhe të regjistruar “me zë dhe figurë” gjatë kohës që ishte zëvendësi i Berishës në Qeveri.

Duke parë se Reforma në Drejtësi po ecte në kundërshtim me interesat e Metës, Berishës, Bashës etj. dhe se përpjekjet për ta shtrembëruar dhe penguar më tej po u shtereshin, nga pozitat e Kryetarit të Shtetit e forcoi aleancën sa të fshehtë, aq edhe të hapur me Berishën dhe bandën e tij. Së bashku, e panë shpëtimin e vetes nga drejtësia në krijimin e artificeve politike dhe përdorimin e tyre si mjete për rrëzimin e qeverisë së zgjedhur demokratikisht. Për këtë qëllim u ngrit Çadra parvjet dhe u braktis Parlamenti e u dorëzuan mandatet parlamentare këtë vit. Edhe në vitin 2017 Ilir Meta, me sjelljet, fjalët dhe qendrimet e tij dukej sheshit se mbështeste aleancën antiqeveri megjithëse partia e tij ishte pjesë e qeverisë, por këtu Meta i ngjante asaj gruas që mban në gisht unazën e burrit, por në shpirt emrin dhe fytyrën e dashnorit.

Ka shumë të ngjarë që skenarët e aksioneve politike antidemokratike të opozitës shqiptare të kenë pasur jo vetëm miratimin e Ilir Metës, por edhe mendimin dhe premtimin e tij për mbështetje të gjithanshme, qoftë edhe antikushtetuese. Fillimisht ata kanë besuar se do të mobilizonin shumë më tepër njerëz në protestat e tyre të dhunshme dhe se do të gjenin edhe përkrahje sado të vogël ndërkombëtare dhe pastaj Meta do të dilte si “shpëtimtari” i situatës dhe si njeriu që qëndron mbi palët dhe prandaj do i thërriste ata “me qetësi e dashuri” në tryezën e bisedimeve. Kur e panë se asnjëra nga shpresat e tyre s’po realizohej dhe se shumica qeverisëse ndoqi rrugën kushtetuese të zëvendësimit të vendeve të lënë bosh nga dorëzimi i mandateve parlamentare të opozitarëve, aleanca djallëzore Berisha-Meta u acarua pa masë. Acarimin e reflektonin çdo ditë e më shumë manekinët e tyre Luli-Mona. Në mënyrë të veçantë po i demoralizonte dhe acaronte qendrimi i kancelarive ndërkombëtare dhe sidomos ai amerikan.

Qejfmbetur dhe i acaruar me qendrimet amerikane, Ilir Meta iu dërgoi një “mesazh” para disa muajve kur u shpreh turpshëm dhe në mënyrë qesharake se për mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës ishte i gatshëm të sakrifikohej si Salvador Alende. E thënë ndryshe, ai po iu thoshte amerikanëve se do të vazhdonte të mbante qëndrim kundër mendimit, vlerësimit dhe kursit të tyre për çështjen shqiptare, pavarësisht çmimit që mund të paguante. Ky mllef i mbledhur për një kohë të gjatë tek politikani Ilir Meta shpërtheu në mënyrë banale dhe kuptimplotë të shtunën e kaluar, vetëm pak orë pas transmetimit të intervistës së z. Mëthju Palmer (Matthew Palmer), zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, në Top Channel.

Intervista e z. Palmer ishte mbyllje e të gjithë shtigjeve të opozitës shqiptare për të ardhur në pushtet me stisje antidemokratike dhe njëkohësisht një goditje e fuqishme ndaj thuajse të gjitha alibive dhe pretendimeve gjëmuese të saj. Le t’i marrim me radhë:

1.Ndërsa opozita shqiptare ka muaj të tërë që përpiqet të bindë rrejshëm shqiptarët dhe (po t’i ecë) të huajt se ajo braktisi Parlamentin dhe dorëzoi mandatet për hir të demokracisë, z. Palmer tha: “Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve janë në kundërshtim me praktikat demokratike”.

2.Çakenjtë e opozitës dhe disa analistë pa moral e kanë nxitur turmën pa mend që të përdor dhunën ndaj institucioneve dhe ndaj forcave të rendit pasi, sipas tyre, Edi Rama nuk largohet ndryshe nga pushteti. Mirëpo, z. Palmer u shpreh se “Dhuna në protestat e organizuara është antidemokratike”.

3.Z. Palmer, shkoi edhe përtej politikës kur, me të drejtë, tha: “Përdorimi i përleshjeve fizike dhe mjeteve shpërthyese si mjete proteste është jo vetëm antidemokratike, por edhe e paligjshme”. Aleanca Zjarrvënëse e Shqipërisë, e cila e kishte mbështetur shpresën e saj kryesore në rrëzimin e qeverisë legjitime me mjetet e dhunës verbale dhe fizike, u alarmua tani që Amerika po i cilësonte me emrin e vërtetë, antidemokratë dhe ligjshkelës. Dhe dihet se ligjshkelësit, në mos sot, nesër mund të përfundojnë pas hekurave të burgut.

4.Zyrtari i lartë amerikan kërkoi edhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dhunës duke u shprehur: “Ata që përfshihen në veprime të tilla të dhunshme kryejnë krim dhe duhet të mbajnë përgjegjësi”.

5.Deri këtu, ideatorët dhe udhëheqësit e dhunës nuk shqetësohen pasi janë mësuar ta përdorin popullin si mish për top për interesat e veta. Ajo që i shqetësoi këta skifterë të dhunës për pushtet ishte identifikimi i fajtorëve nga z. Palmer kur tha: “Nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne z. Basha dhe znj. Kryemadhi do të jenë përgjegjësit”. Kjo ishte si një rrufe që u zbriti nga qielli i kthjellët, sepse i ngjante një akt-akuze kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht publike. Futja e gruas së Presidentit si “e pandehur” për dhunën opozitare sigurisht që ia ka prishur qetësinë njeriut të zgjedhur gabimisht dhe pameritueshëm në postin më të lartë shtetëror.

6.Ndërkohë që opozita e rrugës kishte shpallur se ishte “aleanca e vlerave”, z. Palmer u shpreh: “Nxitja e dhunës nga kushdo është fyerje për popullin shqiptar”. Shkurt dhe qartë ai po iu thoshte atyre shqiptarëve që kanë sadopak mend dhe integritet moral se një grusht individësh politikë dhe mediatikë dhunënxitës po ju fyejnë dhe poshtërojnë çdo ditë. Pra, ua hoqi dhunëtarëve frymëzues edhe kartën morale.

7.Në kundërshtim me propagandën denigruese brenda dhe jashtë vendit të opozitës për nivelin demokratik të vendit, z. Palmer deklaroi: “Jemi në një mendje me gjetjet e Komisionit Evropian se Shqipëria ka bërë përparim të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar”.

Por, ato që do të ishin krejtësisht të papranueshme për udhëheqësit e Aleancës Zjarrvënëse të Shqipërisë janë tri pohime të tjera të z. Mëthju Palmer që vijojnë edhe si nr. rendor. Ai tha:

8.”Reforma në Drejtësi është zemra dhe shpirti i të gjitha përpjekjeve për reforma këtu. Ajo është legjitime, kushtetuese dhe e pakthyeshme”. Këto fjalë të z. Palmer ishin asgjësuese ndaj përpjekjeve me gojë dhe me vepra të kundërshtarëve të Reformës që, pasi nuk mundën ta pengonin, e shpallën atë si të dështuar dhe të kapur nga Edi Rama. Madje, vetë Ilir Meta, para pak kohëve, tha: “Nuk bëj pjesë tek ata që e quajnë sukses Reformën në Drejtësi… Nuk mund të pengoj askënd të thërrasë ‘Nga fitorja në fitore’ “.

9.Zoti Palmer, për të dytën herë brenda pak muajve përsëriti se: “Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave dhe legjitime”. Ky pohim i tij, jo vetëm hedh poshtë alibinë opozitare për vlerën e zgjedhjeve të 2017, por i heq opozitës çdo të drejtë për rrëzimin e Qeverisë me mjete të tjera përveç proceseve zgjedhore.

Para disa kohësh presidenti Ilir Meta u shpreh: “Në rast se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të besueshme, unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri integrimit evropian” (Gazeta “TemA”, datë 30 prill 2019). Me këtë fjali kushtore përveçse pajtohet me mendimin se opozita shqiptare po saboton integrimin evropian të vendit, Presidenti nuk e bën të qartë se çfarë do të bënte Gjykata Kushtetuese po të ishte funksionale. A beson ai se një gjykatë e tillë do i shpallte zgjedhjet e 2017 të pavlera dhe do të përligjte aksionet e dhunshëm dhe antidemokratikë të opozitës aktuale?!

10.Ndoshta, goditjen më të rëndë shpresave dhe interesave vetjake të drejtuesve të opozitës antidemokratike ua dha z. Palmer kur tha: “Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arësye për moskualifikim për të hyrë në SHBA… I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor (sepse) mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA”.

I ndodhur nën një rrethim të gjithanshëm dhe pa kurrfarë shpresash për të arritur synimet e tyre me dhunë, Koalicioni Antidemokratik dhe Zjarrvënës vuri në jetë “Planin B”, të përgatitur me kohë por të zbatuar nxitimthi nga Presidenti i vendit. Fakti që dita e 8 qershorit nuk kishte asnjë veçanti nga ditët e tjera të protestave opozitare e bën të qartë se z. Ilir Meta e ndërmori veprimin antidemokratik dhe antikushtetues të “anulimit” të datës së zgjedhjeve nën ndikimin e panikut, pasigurisë, zemërimit dhe ndjenjës së hakmarrjes. As Presidenti dhe as zyra e tij nuk lexuan ndonjë dekret por thjesht bënë njoftimin se Presidenti anulonte dekretin e tij të mëparshëm për zgjedhjet vendore. Presidenca nuk është Agjenci Funeralesh që të shprehet nëpërmjet “njoftimeve për vdekjen e dekretit…”, por është institucion që në raste të tilla përgatit dhe shpall aktin ligjor (dekretin) me përmbajtjen dhe formën e duhur juridike ku, përveçse argumenton arësyet e nxjerrjes së aktit, sqaron edhe bazën juridike dhe kushtetuese ku mbështetet akti.

Dekreti antidekret i Presidentit është juridikisht i pavlefshëm sepse nuk mbështetet në asnjë nen të Kushtetutës dhe sepse anulimi i datës së zgjedhjeve vendore pa caktuar një datë tjetër brenda afateve kushtetuese, në thelb ua heq, qoftë dhe përkohësisht, qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre për votimin dhe zgjedhjen e organeve vendore. Jo vetëm kaq, por ua zgjat artificialisht mandatin organeve të pushtetit vendor që, me ligj, zgjidhen për një periudhë katër- vjeçare dhe ashtu si mandati i Parlamentit, edhe mandati i pushtetit vendor mund të zgjatet vetëm në rast lufte. Nenet 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor e bëjnë të qartë se Presidenti e nxjerr dekretin për zgjedhjet e pushtetit vendor jo më vonë se nëntë muaj para mbarimit të mandatit të të zgjedhurve. Në rastin konkret, nëse pranohet si i vlefshëm ç’dekretimi i datës së zgjedhjeve atëherë ne ndodhemi sot pa një datë zgjedhjesh megjithëse mandati i pushtetit vendor mbaron për dy muaj. E, këtu nuk mund t’i vijë në ndihmë Presidentit as ndonjë akademik hokatar dhe me nivel arësyetimi po aq të mjerë sa Nard Ndoka, kur thotë se: “Presidenti nuk e ka shkelur aspak Kushtetutën. Edhe sikur akti i çdekretimit të jetë jokushtetues, ai nuk e shkel Kushtetutën”.

Përveç anës juridike, akti më i fundit presidencial ka edhe aspektet e veta politike dhe morale. Duke u vënë politikisht hapur në anën e koalicionit opozitar që bashkëdrejtohet nga gruaja e tij, Presidenti, me fjalët dhe me gjestet e bërë në daljet e tij publike që nga 8 qershori iu përcolli shqiptarëve mesazhin e tij për vlerat e opozitës: Atë që nuk mundët ta arrini ju me protesta të dhunshme po jua jap unë nëpërmjet dhunimit kushtetues dhe shpërdorimit të postit zyrtar.

Lexuesit le të kujtojnë si iu tha protestuesve dhe drejtuesve të opozitës në 8 qershor: Shkoni në shtëpi tani sepse nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor! Ndërsa dy ditë më vonë iu bëri karshillëk pushtetarëve dhe popullit që i ka zgjedhur. Pasi ngriti gishtin lart tha: “Nuk ka zgjedhje pa dekret presidencial!”. Nuk ndali këtu. Në ditën pasardhëse doli dhe iu bëri karshillëk kancelarive perëndimore dhe, sidomos, zotit Palmer i cili kishte pohuar në intervistën e tij se qeveria amerikane po i ndiqte me shumë vemendje zhvillimet në Shqipëri dhe në zgjedhjet e 30 qershorit, përveç të dëguarve amerikanë si pjesë e Misionit të OSBE-së, do të kishte edhe vëzhguesit e vet në çdo bashki. Për t’i sfiduar SHBA, por edhe për t’u dhënë një leksion “demokracie”, Ilir Meta u shpreh: “Nëse ka ndonjë evropian ose amerikan që do të monitorojë zgjedhje të tilla le të shkojë në Korenë e Veriut, këtu jo, se ka ardhur pluralizmi politik…”.

Kryebanditi Sali Berisha dhe disa dordolecë e karagjozë politikë të tipit Petrit Vasili po përpiqen ta justifikojnë veprimin antikushtetues të Presidentit si akt që i shërben paqes dhe shuarjes së konflikteve. Po kush i ndezi dhe i vuri në jetë këto konflikte përveçse drejtuesit opozitarë ku bëjnë pjesë edhe bashkëshortja e Presidentit dhe lapangjozi politik Petrit Vasili që shpall “horra” të gjithë ata që s’pajtohen me ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve? Nëse Presidenti merakosej vërtetë për kombin dhe paqen sociale do të mund t’i thoshte opozitës të hiqte dorë nga alibitë dhe protestat e dhunshme dhe t’iu nënshtrohej normave të bashkëjetesës demokratike, siç i këshillonin edhe të gjitha kancelaritë perëndimore. Nuk mund të shkelësh ligjet dhe të anulosh datën e zgjedhjeve vetëm pse kështu do gruaja Monikë dhe byrazeri Sali.

Dhe pas kësaj të dalësh e të thuash se po e anuloj dekretin për hir të paqes, ndërkaq nuk përmbahesh dot dhe të flasësh me gjuhën e gruas se: “Opozita ka paraqitur fakte, bazuar edhe në proceset e mëparshme, se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”. Askush në Shqipëri më pak se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mund të flasin për ” prova, video apo audioregjistrime “. Halli ia ka errësuar logjikën Presidentit deri në atë shkallë se nuk druhet të marrë rolin e opozitarit dhe, njëherësh, të gjykatësit suprem. Presidenti nuk druhet të thotë broçkulla të tilla si ato të gruas së tij: “Duke marrë pjesë vetëm maxhoranca në zgjedhje, iu mohohet qytetarëve e drejta e votës”. Në zgjedhjet e 30 qershorit nuk merr pjesë vetëm maxhoranca dhe mohuesi i vërtetë i mundësisë së votimit ndaj votuesve opozitarë janë vetëm drejtuesit e Koalicionit Zjarrvënës të Shqipërisë ku bën pjesë edhe bashkëshortja e Presidentit.

Akti i Presidentit Ilir Meta është një karshillëk dhe veprim i turpshëm edhe ndaj shumicës së popullit shqiptar që ka votuar qeverisjen aktuale. Me veprimin e tij, ai iu thotë shqiptarëve se, doni apo nuk doni ju këtu vendos unë dhe e detyroj unë shumicën e zgjedhur prej jush t’i nënshtrohet pakicës së përbuzur prej jush. Në këtë mënyrë, me makinacione politike antidemokratike dhe antiligjore ai kërkon t’ia nënshtrojë shumicën pakicës dhe të zhvlerësojë plotësisht proceset zgjedhore dhe votimin si akt vullneti popullor. Kjo gjë nuk duhet lejuar kurrësesi, aq më pak kur kemi parasysh që, ndoshta, jemi i vetmi vend në botë ku kryetari i shtetit, që supozohet se është simboli i unitetit kombëtar, nuk gëzon më shumë se 7-8 përqind të mbështetjes popullore dhe partia politike nga e cila ka ardhur dhe të cilës i shërben është parti familjare-komerciale që nuk përfaqson më shumë se dhjetë përqind të elektoratit shqiptar.

Megjithëse e ka pohuar vetë se partitë opozitare bënë gabim të pafalshëm që dorëzuan mandatet parlamentare, tani kërkon që shumicën parlamentare dhe proceset demokratike në Shqipëri t’ua nënshtrojë pikërisht atyre që bënë “gabimin e pafalshëm”. Vetëm fakti që partia e tij është pjesë e opozitës së rrugës dhe bashkëshortja e tij një nga protagonistet kryesore të kësaj situate duhej ta kishte bërë Presidentin shumë më të matur, më etik dhe fisnik por, ndoshta është faji ynë që kërkojmë virtyte në shkretëtirë morale.

Akti më i fundit presidencial nuk ka qëllim t’i shërbejë paqes, por është thjesht shërbim ndaj partisë së vet dhe një mjet për të rrëzuar në mënyrë antidemokratike qeverisjen aktuale legjitime. Qysh në çastin që një qeveri është pranuar legjitime nga shumica e popullit të vet dhe nga gjithë kancelaritë perëndimore, çdo akt apo marifet për nënshtrimin e saj është antidemokratik. Punon mirë apo keq qeverisja legjitime, ajo rimerret në “provim” nga populli në zgjedhjet pasardhëse dhe nuk mund t’iu nënshtrohet makinacioneve të opozitës dhe aq më pak një grushti njerëzish të inkriminuar në të kaluarën dhe, për këtë shkak, të frikësuar sot.

Po të donte të mbante qendrim paqësor dhe mbi palët do t’i kishte penguar karagjozët politikë të partisë së tij si dhe bashkëshorten e vet nga thirrjet për dhunë, ultimatumet dhe kërcënimet për ” tërheqje zvarrë për së gjalli ” ndaj Kryeministrit. Po të donte t’i ulte palët për marrëveshje do ta kishte bërë atëhere kur Kryeministri i pyeste ” Kur do të bisedojmë ” dhe miqtë e tij opozitarë i përgjigjeshin me ultimatume. Paqëtimin e situatës mund ta kishte arritur pa shkelur Kushtetutën dhe ligjet dhe jo duke i shkeluar ato meqënëse pala në pushtet as që u lëkund fare.

Bërjen e zgjedhjeve nuk mund ta ndalojnë as opozita me dhunë fizike dhe as Presidenti duke ngritur flamurin lart. Ashtu si në lojën e futbollit, kur arbitri anësor dyshon për pozicion ” offside ” nuk mund ta ngrejë flamurin derisa të bëhet gol, kështu edhe Presidenti duhet të presë zhvillimin e zgjedhjeve dhe pastaj të ngrejë ” flamurin ” duke pretenduar për ” pozicion jashtë loje “. Pas kësaj palët, ashtu si në futboll, duhet t’i drejtohen sistemit VAR që këtu tek ne quhet Gjykatë Kushtetuese e cila do të rinisë veprimtarinë e saj në fund të muajit korrik dhe do të vendosë nëse zgjedhjet ishin të ligjshme apo jo.

Ata që do të kërcënojnë me dhunë prishjen e procesit zgjedhor i duhen nënshtruar çdo pasoje që parashikon legjislacioni shqiptar ndërsa skifterët politikë dhe mediatikë të thirrjeve për dhunë që kërkojnë të fusin shqiptarët në konflikt dhe vetë ta ndjekin konfliktin nga vilat luksoze apo nga vendpushimet jashtë shtetit, iu duhen regjistruar mirë emrat në mënyrë që kur të kthehen në Shqipëri të mos kenë mundësi as të njohin pasuritë e tyre të patundshme të krijuara me veprat e tyre të paturpshme dhe kriminale.

(TemA)