Derbi i Italisë do të mbërthejë miliona shikues mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 20:30, në një 90-minutësh që nuk do të ndikojë shumë për hierarkinë në Serie A. Por, do të mësohet diçka më shumë mbi rivalitetin e përjetshëm të dy prej skuadrave më të njohura në Apenine.

Sot do të jetë ndeshja e 170 mes Juventusit dhe Interit, në një bilanc që i buzëqesh kampionëve në fuqi të Italisë me 81 fitore, 46 barazime dhe 43 fitore në favor të zikaltërve. Por, të gjithë tifozët bien dakord në një pikë, që kjo sfidë shkon përtej rezultatit të fushës.

Dekadat kanë kaluar, por çështje të ndryshme në harkun e viteve, si 1961-shi kur u vendos një fitore e cila u rrëzua nga Disiplina, si skandali i trukimeve në 2006-n, apo “tripleta” e frymëzuar nga një trajner karizmatik si Mourinho, kanë shtuar “benzinë” në “zjarrin” mes ekipeve.

Bardhezinjtë kanë dominuar vitet e fundit në kampionat, të cilin e fitojnë prej 7 vitesh radhazi, ndërkohë Interi ka filluar të ringrihet disi pas periudhës së vështirë dhe oshilacioneve. Do të jetë një sfidë mes trajnerëve që janë përballur 9 herë mes tyre; 4 suksese për Allegrin kundër 3 të Spallettit.

Por, do të jetë gjithashtu dueli në sulm mes Ronaldos dhe Icardit. Portugezi ka shënuar më shumë gola dhe ka krijuar po kaq, por kapiteni i zikaltërve ka ditur të jetë më efikas.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here