“Kryeministri Rama dhe mazhoranca ndodhet në pozita kushtetuese. Do zhvillojmë zgjedhje në datën e dekretuar dhe populli ftohet të votojë. Rama nuk po bën ndonjë gjë ndryshe, po zbaton ligjet dhe Kushtetutën e vendit, ndërkohë që pozicioni i opozitës është të shkelet Kushtetuta”, – theksoi deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi i ftuar në studion e “Report TV”.

Duke folur për situatën aktuale dhe mundësinë e dialogut për daljen prej saj, Pëllumbi theksoi se data e zgjedhjeve nuk mund të shkelet, ndërkohë që mund të dialogohet për gjëra të tjera.

“Ne jemi për dialog dhe nuk e mohojmë. Data e zgjedhjeve është e panegociueshme, pasi është në limitin e saj. Data nuk mund të shkelet, mund të dialogohet për gjëra të tjera, për hapjen e afateve për kandidatët e partive opozitare jashtë sistemit, por jo data e zgjedhjeve se nuk e shtyn dot më. Më 1 korrik kryebashkiakët aktualë nuk firmosin më, mbeten qytetarët pa shërbime”, – theksoi Pëllumbi.

Ai u ndal edhe tek dhuna e përdorur në protestat e opozitës. “Policia është pjesë e shtetit, jo e pushtetit, pavarësisht se varet nga qeveria dhe unë nuk di asnjë vend të botës që të protestohet kundër policisë. Policia garanton mbrojtjen e protestuesve, institucioneve dhe qytetarëve të thjeshtë. Të godasësh policinë me mjete shpërthyese e bomba molotov, nuk di se çfarë emri mund t’i vihet”, – theksoi ai.

Pëllumbi bëri thirrje që të vijë momenti që të sillemi si një politikë e një shteti të pjekur demokratik.

“Çfarë politikani je që predikon që nëse nuk ikën ti, e çoj vendin në luftë civile. Kaq e papjekur je si opozitë”, – theksoi Pëllumbi.

Në lidhje me paralelizmat e protestave, Pëllumbi shtoi se PS nuk ka bërë asnjëherë protesta para zgjedhjeve, por pas, për shkak të atyre që kanë ndodhur në zgjedhje, dhe jo me paramendimin për ato që do ndodhin në zgjedhje. “Aksioni i opozitës si në vitin 2017, ashtu edhe tani në 2019, bazohet mbi supozimin do i vidhen votat”, – tha Pëllumbi.