Dokumenti i nëntorit 1946/ Regjimi me ligj, duhet t’i falte të arratisurit dhe t’i lehtësonte ata që dorëzoheshin, po ashtu edhe familjet e tyre që i kishin çuar në internim. Por, koha dëshmoi se ky ishte një kurth për të gjithë të arratisurit, pjesa dërrmuese e të cilëve u pushkatuan apo vdiqën nën tortura…

Në vjeshën e vitit 1946, një fushatë e gjerë propagandistike mori shtrirje në gjithë Shqipërinë, sipas të cilës do të faleshin e do të aplikoheshin masa lehtësuese për të gjithë të arratisurit, që gjendeshin brenda Shqipërisë. Kjo, sipas një dekretligji të aprovuar në Kuvendin Popullor, në 13 nëntor të vitit 1946, i cili nënvizonte se do të faleshin të gjithë ata “që ditën e hyrjes në fuqi të këtij dekret-ligji ndodhen në arrati brenda shtetit për shkak se akuzohen si kriminelë lufte dhe armiq të popullit, ose për çdo lloj faji tjetër, ushtarak ose ordiner, në çdo kohë që ti kenë kryer këto, por gjithmonë para hyrjes në fuqi të kësaj dekret ligje, nëqoftëse dorëzohen në organet e pushteitt mbrënda 45 ditëve nga data që hyn në fuqi kjo dekretligje”.

Po ashtu, dekretligji nënvizonte se pas dorëzimit të tyre, do të ndërpritej persekutimi ndaj familjeve të tyre, të cilat ishin internuar. Siç vihet re në këtë frazë, regjimi e pranon zyrtarisht se familjarët internoheshin në masë vetëm pse një familjar i tyre ishte arratisur.

Në të vërtetë dekretligji kishte synim t’i priste rrugën aktivitetit antikomunist, që mund të organizonin gjithë kundërshtarët e regjimit, që ishin hedhur në arrati, që në ditët e para të pas Luftës. Ajo çka thekson dekretligji në të gjithë nenet e tij, në të vërtetë ishte vetëm një kurth, pasi të gjithë të arratisurit që u dorëzuan përfunduan në pushkatim, burgime të gjata apo vdiqën në hetuesi dhe në qelitë e burgjeve. Kujto.al – Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit, e sjell të plotë tekstin e këtij dekretligji të miratuar nga Kuvendi Popullor, në 13 nëntor 1946.

………….

Në datën 13-11-1946 u mblodh Komisioni i Ligjeve dhe mori në shqyrtim Dekret Ligjet nr.334, 335, 337, 338, 339 dhe 342. Komisioni masi i studjoi këto dekrete nji nga nji e nen për nen i aprovoj unanimisht pa ndryshime. Z.kryetar- Bisedimet në parim mbi dekret-ligjet janë të hapura. Ka njeri të diskutojë mbi këto dekret-ligje? Pasi nuk kërkoj njeri të flasë, vihen në votim dhe pranohen në parim me unanimitet dekret-ligjet e larpërmendura.

Vazhdon aprovimi i tyre në hollësi. Dekret-ligja nr.335 dhe 339 këndohen dhe aprovohen në hollësi dhe tërësi pa ndonjë ndryshim si vijon: Dekret ligjë Nr.335 d.12.9.1946, Mbi faljen e t’arratisunve t’akuzuar për faje penale

Neni 1- U akordohet një falje, sipas dispozitave të mëposhtme të gjithë atyre që ditën e hyrjes në fuqi të këtij dekret ligje ndodhen në arrati brenda shtetit për shkak se akuzohen si kriminelë lufte dhe armiq të popullit, ose për çdo lloj faji tjetër, ushtarak ose ordiner, në çdo kohë që ti kenë kryer këto, por gjithmonë para hyrjes në fuqi të kësaj dekret ligje, nëqoftëse dorëzohen në organet e pushtetit mbrënda 45 ditëve nga data që hyn në fuqi kjo dekretligjë.

Neni 2- T’arratisurit që dorëzohen mbrënda afatit të sipërmë, përfitojnë nga konditat lehtësonjëse për dënimet që mund t’u jepen për fajet e kryera prej tyre. Veç kësaj ata do të meritojnë çdo benefic të mundshëm nga ana e organeve të pushteitt dhe do të ngrihet menjëherë çdo masë që mund të jetë marrë kundër familjeve të tyre si internim, etj…

Neni 3- Ata, nga të arratisurit, që nuk do të dorëzohen brënda afatit të nenit 1, do të ndiqen pa mëshirë, dyke u marrë masat më të rrepta si nga ana e organeve të Pushtetit ashtu edhe nga populli. Neni 4.- Ministrija e Drejtësisë dhe Ministria e P.Mbrendshme ngarkohen me zbatimin e kësaj Dekret – ligje. Neni 5- Kjo Dekret-ligjë hyn në fuqi menjëherë. Dekret –ligjë Nr.339 d.28 –X- 946. Mbi zgjatjen e afatit të dekretligjës Nr.335 d.12 -9-1946 mbi faljen e t’arratisurve t’akuzuar për faje penale.

Neni 1.- Afati prej 45 ditësh i parashikuar prej Dekret –ligjës nr.335 datë 12-9-1946 “ mbi faljen e t’arratisurve t’akuzuar për faje penale, zgjatet deri më datën 29 nëntor 1946. Neni 2- Kjo dekret Ligjë hyn në fuqi menjëherë.