Dash Shehi është shfaqur i revoltuar pas mbledhjes së aleatëve me kryedemokratin Lulzim Basha. Kreu i LZHK-së shprehet se nuk do të hiqet dorë nga protestat duke thënë se do të vazhdojë aksioni për të rrëzuar kryeministrin e vendit Edi Rama. Shehi është shfaqur krah Fatmir Mediut, Nard Ndokës, Vangjel Dules dhe Petrit Vasilit.

Gjithashtu ai garantoi se protestat e opozitës do të ndryshojnë Shqipërinë.

“PS-ja ka filluar manipulimin zgjedhor që tani me spostimin e komisioneve, tani ka vetëm 25 kandidatë dhe gara është false. Kjo është që sot ka filluar manipulimi, zgjedhjet kanë rënë moralisht dhe praktikisht. Edhe sikur ti mbushin plot letrat nuk do të lejojmë që të zhvillohen zgjedhjet. Nuk heqim dorë nga takimet me ndërkombëtarët, por aksi kryesor është protesta e rrugës deri në fund kur të mbërrijmë një zgjidhje finale.

E konsiderojmë pozitive për Shqipërinë që të vijë dita dhe të bëhen zgjedhje, pasi këtu nuk mund të ketë. Ky është mesazhi kryesor, këtë diskutuam dhe do të diskutojmë. Ka shumë alternativa për protestën e radhës, qyteti mund të prodhojë përditë, por ne do të marrim pjesën më pozitive. Në nuk bëjmë protestë për protestë, por pasi po shkelet rregullat e lojës” deklaroi Dashamir Shehi. (TemA)