Si fundjava që lamë pas, edhe kjo javë sjell kthjellime dhe temperatura të larta në vendin tonë, megjithatë për shkak të avullimit të fuqishëm pas orëve të mesditës, pritet të ketë zhvillim të vranësirave në zonat malore të vendit ku kthjellimet do t’i lenë vend stuhive afatshkurtra me rrebeshe shiu dhe jo rrallë-herë edhe breshër.

Temperaturat qëndrojnë të larta gjatë mëngjeseve, duke shënuar nga 12°C në zonat kufitare lindore deri në 22-24°C, në bregdet dhe zonat e ulëta, por akoma më të larta, parashikohet të jenë temperaturat gjatë mesditës.

Deri të premten, sipas zonave gjeografike, parashikohet që temperaturat maksimale të ngjiten 28 – 31°C në zonat malore dhe sërish nga 32 në 36°C luhaten maksimumet e zonave të ulëta dhe atyre bregdetare.