Nga Nertil Jole

Tashmë është bërë i njohur synimi i drejtuesve të opozitës joparlamentare për të polarizuar deri në ekstrem jetën shoqërore dhe politike në vend. E për të kuptuar konktestin e arsyeve dhe ngjarjeve të fundit që kanë shoqëruar sjelljen e tyre politike, nuk duhet më shumë sesa një logjikë dhe intuitë minimale.

Me aktin më të fundit të ndërmarrë nga Presidenti i Republikës, atë të shfuqizimit të dekretit të Nëntorit të kaluar për zgjedhjet e 30 Qershorit, Ilir Meta qartazi ka humbur kredibilitetin për të qëndruar një President mbi palët, në respekt të ligjit themeltar të vendit dhe garantimit të unitetit kombëtar që ka si funksion kushtetues në thelb figura e Kryetarit të Shtetit.

Vendimi i tij cënon rëndë parimin kryesor të demokracisë, duke u bërë faktor antikushtetues për t’iu privuar të drejtën shtetasve shqiptarë që të votojnë një herë në katër vjet për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverisjen vendore.

Në këtë optikë, i udhëhequr edhe nga një arsyetim racional, nuk e kisha menduar që sjellja e një politikani me përvojë gati 30 vjeçare, të dilte plotësisht jashtë logjikës institucionale dhe jashtë vijës së kuqe që qartësisht përcakton Kushtetuta, duke e kthyer zyrën e Kryetarit të Shtetit në një zyrë noteri të opozitës joparlamentare.

Prandaj jam i prirur që vendimin e fundit të Presidentit të Republikës për shtyrjen e datës së zgjedhjeve përtej afatit kushtetues, pa argumenta ligjore dhe arsyetime të drejta, të mos ta shoh thjesht e vetëm si një sjellje apo qëndrim të veçuar të Ilir Metës. Sjellje të ngjashme jashtë kompetencave të tij ai e ka treguar edhe me përpjekjen për të mosdekretuar Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Këto veprime nuk janë thjesht akte partiake për të imponuar te kryeministri dhe mazhoranca qeverisëse apo kushte për negociata jodemokratike që kanë për qëllim ndryshimin e pushtetit në tavolinë, si përpjekje plotësisht e njëanshme dhe në linjë të interesave politike të opozitës joparlamentare. Është më shumë sesa kaq në fakt. Vendimet e tij janë veprime për të provokuar një ngërç politik qeverisës, me shpresën se kjo do të reflektojë në pengimin e ecurisë së zbatimit të reformës në drejtësi, ku qëndron edhe “thembra e Akilit” e gjithë përpjekjeve të tij antikushtetuese.

Kjo tregon se misioni i Presidentit dhe opozitës jo parlamentare synon pikërisht pengimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe zbehjen e besimit të shoqërisë tek riperteritja e sistemit të drejtësisë, që është edhe shpresa më e madhe ose e vetme që kanë qytetarët për rikthimin e besimit te sistemi.

Prandaj ekziston mes Presidentit dhe opozitës jo parlamentare një aleancë tashmë aspak e padukshme, si bashkim forcash për të penguar instalimin e kulturës së ndëshkueshmërisë, që në fakt gjithmonë e më shumë po iu ngushton lakun e mbijetesës në arenën politike atyre politikanëve që kanë shumë arsye për t’u ndjerë të frikësuar.

Nëse sistemi apo përfaqësuesit e Parlamentit do lejonin që precedenti i asgjesimit të zgjedhjeve të ndodhte me një të rënë të lapsit nga Presidenti i Republikës apo me një atdhetarizëm fars të shprehur si karshillëk publik nëpërmjet simbolit të shqiponjës dy krenare, rreziku për të minuar të ardhmen demokratike të vendit, do të ishte i përhershëm dhe ciklik në çdo palë zgjedhje.

Fatkeqësisht e gjithë kjo lojë politike është shprehje e vazhdimësisë së goditjes që po vektorizohet pa pushim ndaj shtetit ligjor dhe aspiratave europiane të Shqipërisë, madje para një vendimi për çeljen e negociatave me BE, ku të gjithë do duhet të tregonin se janë të bashkuar për këtë interes madhor kombëtar, ku përfitojnë në fakt të gjithë qytetarët, pa dallime politike.

Ky standard i ulët i presidentit mori përgjigjen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet votimit të rezolutës së Parlamentit mbi vendimarrjen e fundit të tij, duke e mbështetur atë me një shumicë akoma më të madhe sesa numri i votave të nevojshme për fillimin e procedurës lidhur me shkarkimin e tij, që u konkretizua nga 55 deputetë.

Prononcimi i presidentit për gjoja jolegjitimitetin e parlamentit ishte një tjetër kapërcim i tij. Në mënyrë të habitshme për pozicionin e tij ai i dha vetes një të drejtë që nuk e ka. Nuk është atribut i presidentit dhënia e legjitimitetit. Kushtetuta, për të cilën ai duhet të jetë garant, ia ka dhënĕ këtë të drejtë një tjetër institucioni. Organizmat ndërkombëtare e kanë çertifikuar dhe së fundi përfaqësues të rëndesishëm këtej e andej Atlantikut e kanë rikonfirmuar: parlament dhe qeveri legjitime. Insinuata që tenton të përçojë me kërkesën drejtuar KQZ për numrin e deputetëve është vazhdim i injektimit të tensionit në funksionimin e institucioneve. Dhe nëse janë te verteta ato që u percollen nga media, rrugetimi presidencial po shkon ne shtigje “të pashkelura” . Me një fjalë, me urdhrin e tij (të pamundur ne fakt), ushtria jonë anëtare e NATO-s do të dalë për të na mbrojtur nga vetë populli votues! Ndërsa në datën 20 Qershor, vetë selia e presidencës do të jetë streha e liderit të opozitës për t’u shmangur nga paraqitja e detyrushme para prokurorëve. Çfarë tjetër do degjojmë vallë në emër të mbrojtjes së Kushtetutës?!

Nga ana tjetër, është e domosdoshme që mazhoranca qeverisëse të vazhdojë me këmbëngulje reformat shtetformuese, që janë jo vetëm zotime të saj elektorale por më kryesorja edhe pritshmëria që kanë njerëzit. Përfshirë padyshim reformën në drejtësi, si reformën më jetike e cila pas vënies në funksionim do rivendoste themelet e një bashkëjetese të shëndetshme demokratike që respekton parimin universal të barazisë përpara ligjit. Duke filluar nga politikanët që kanë abuzuar ndër vite, në të gjithë krahët e politikës.

Ky qëndrim duhet të vazhdojë të shfaqet i qartë edhe gjatë diteve te mbetura te fushatës që po zhvillohet për zgjedhjet e 30 qershorit. Këtu kam parasysh edhe reagimin korrekt ligjor ndaj sjelljeve të opozitës joparlamentare që synon të intimidojë terrenin politik e të tensionojë artificialisht situatën me qëllime qartazi për të dëmtuar ecurinë e procesit europianizues të vendit.

Mbështetja e qartë e partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë të qendrimit kushtetues për zgjedhjet dhe paralelisht vlerësimi për arritjet në kuadër të procesit të hapjes së negociatave për anëtaresim janë indikatorë të rendësishëm që japin siguri për rrugën që Shqipëria duhet të ndjekë në mënyrë të palëkundur, për realizimin e aspiratës kombëtare që na integron pa kthim në bashkësinë e vlerave të familjes europiane.