Kryetari i PD, Lulzim Basha, nga SHQUP u ka bërë thirrje protestuesve të mbetur që të drejtohen për tek Drejtoria e Policisë. Arsyeja sipas Bashës, për nisjen e marshimit të radhës, është lirimi Sekretarit Organizativ të PD, Z. Sahit Dollapi. Ky i fundit sipas Bashës mbahet në mjediset e Drejtorisë së Policisë, pasi u ndalua në flagrancë ana e FNSH.

Po çfarë ndodhi me të vërtetë dhe ka patur realisht dhunë? Pamjet live dhe ato të përsëritura më vonë, tregojnë Sahit Dollapin që kundërshton forcat e policisë. Sekretari Organizativ i PD shihet tek vë dhe heq një maskë kundërgaz, dhe kundërshton forcat e FNSH. Në një moment, krejt papritur, Dollapi shihet teksa nis të largohet me një vrap të madh nga forcat e policisë, duke thyer urdhërin e policëve për të ndaluar.

Pa kaluar disa metra me këtë vrap të pazakontë për moshën dhe trupin e tij, Dollapi shihet tek rrëzohet në tokë, dhe aty mbërrijnë forcat e ndërhyrjes së shpejtë, që e shoqërojnë më pas për në makinë.

Pyetja që shtrohet është: çfarë arsye ka patur Sahit Dollapi që të kundërshtojë urdhërin e punonjësit të policisë? Dhe mbi të gjitha, për cilën arsye një zyrtar i lartë, duhet t’ia mbathë me një vrap të tillë nga policia, njësoj sikur të ishte një prej protestuesve me maska dhe molotovë në duar? A nuk do i mjaftonte të identifikohej para punonjësve të policisë, të komunikonte me ta, dhe jo të thyente urdhërin dhe të merrte vrapin?/Lexo.al