Një nga pyetjet më konsistente dhe ekzistenciale që i ka parashtruar njeriu vetes është se çfarë është lumturia dhe a mund të arrihet ajo. Përpos zhvillimit tonë teknologjik dhe social-politik, duket se akoma nuk e kemi gjetur përgjigjen e kësaj pyetje. Prandaj, mënyra më e mirë për të marrë një përgjigje që të na kënaqë disi është ajo e të kthyerit pas në kohë, për t’iu drejtuar mendjeve të ndritura që janë përpjekur ta rrokin këtë çështje.

Një ndër filozofët që është marrë me këtë temë ka qenë edhe Aristoteli, i cili ishte i pari që i ndau fushat e dijes në degë të cilat njihen akoma edhe sot si logjika, metafizika, filozofia natyraliste, filozofia e mendimit, etika, retorika, biologjia, poetika, shkenca politike etj. Këtë qasje të Aristotelit, e gjejmë të trajtuar shkurtimisht në mënyrë të kondensuar dhe të servirur më thjeshtë tek revista “Filozofikja” vol. 5, nga Botime Akropoli i Ri. Artikullin e gjejmë qysh në faqet e para të revistës, ku mundohet të na japë një koncentrat të filozofisë aristoteliane në raport me lumturisë dhe duke u mundur të japë përcaktimin e këtij koncepti.

Te Filozofikja lexojmë shpjegimin e lumturisë më anë të një koncepti: Eudaimonia. Sipas Aristotelit, Eudaimonia, është lloji më i lartë i të mirës që arrihet nga veprimtaria njerëzore, pasi njeriu ka një tendencë natyrore për të synuar drejt kësaj së mire, e cila sigurisht ka nivelet e saj.

Eudaimonia aristoteliane nuk është një lumturi vetjake dhe emocionale e një personi, por një përmbushje e qenies së tij. Eu – do të thotë fat, ndërsa daimon – do të thotë qenie. Kështu Eudamonia mund të përkthehet si fat-qenësi dhe kjo fat-qenësia është qëllimi përfundimtar ose final i qenies, pra arsyeja e ekzistencës së një qenieje dhe motori i kërkimit e zhvillimit të saj.

Lumturia etike të cilës i referohet Aristoteli është shumë e ndryshme me preferencat dhe pëlqimet personale të secilit. Kjo lumturi është më shumë një zbatim i urdhrit të arsyes që buron prej vetvetes, akoma edhe nëse kjo detyrë ose urdhëresë e brendshme është në dëm të personit. Lumturia aristoteliane manifestohet kur përputhet me virtytet e tjera si e vërteta, e drejta, e mira etj. Pra, për Aristotelin, Eudaimonia ose lumturia e njeriut është jeta e qenies së tij të brendshme, e cila nuk varet nga kushtet dhe raportet e jashtme, por vetëm nga lëvizja e brendshme e esencës së qenies njerëzore.

Shkurtimisht, një jetë aristoteliane, nuk ka të bëjë vetëm me durimin e së paevitueshmes, por me identifikimin e talenteve të veçanta apo prirje natyrale që ka secili prej nesh (qenia) dhe më pas të ndjekë një rrugë, në mënyrë konsistente dhe me qëllimshmëri, përgjatë gjithë jetës së tij. Aristoteli zbulon se, thelbi i lumturisë njerëzore, është të jetuarit e një jete në vitytshmëri. Kjo gjë do ta bëjë dikë thellësisht të lumtur. Kështu, Etika e Aristotelit inkurajon një gëzim dhe entuziazëm në aktin e të jetuarit, si një veprimtari në ndjekje dhe realizim të fatit të qenies, Eudaimonisë.

(Botime Akropoli i Ri, Andi Kurti)