Bypass-i i Fierit, një projekt strategjik i infrastrukturës rrugore në vend, po vijon me ritme të shpejta.

Në një intervistë për ATSH-në, deputetja socialiste në Qarkun e Fierit, Antoneta Dhima, foli për rëndësinë e këtij projekti, si dhe impaktin që ai ka te qytetarët.

Nëse përgjatë rrugës së vjetër, në periudhë fluksi duhet më tepër se një orë për të kaluar, sipas saj, me hapjen e Bypass-it, nga Mbrostari në Levan do të duhen më pak se 15 minuta.

Kjo mjafton, tha deputetja e PS-së, për të kuptuar se sa i rëndësishëm është ndërtimi i këtij segmenti, që shmang trafikun dhe ofron rrugë me parametra bashkëkohor.

“Pas një zvarritjeje shumëvjeçare me kontratat e lidhura nga qeveria e mëparshme që i la rrugët rrugëve, prej afro dy muajsh janë mbyllur procedurat dhe kanë filluar punimet në dy veprat infrastrukturore më të rëndësishme, bypass-in e Fierit dhe bypass-in e Vlorës, që mund të cilësohen fare mirë si dy nga investimet më të rëndësishme jo vetëm për jugun e vendit”, u shpreh Dhima për ATSH-në.

Me përfundimin e punimeve në bypass-in e Fierit, sipas deputetes socialiste, “makthi dhe stresi për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin drejt jugut, përmes Fierit dhe Vlorës do të marr fund”.