Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë punimeve të Konferencës Mesdhetare në Malaga, Spanjë, zhvilloi disa takime me homologë si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger.

Ministri Bushati u takua me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, vendi i të cilit ka presidencën e OSBE për 2019, me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Dacic, me zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë, Guglielmo Picchi, vendi i të cilit ka kryesinë aktuale të OSBE-së. Zyrtarët diskutuan mbi sfidat aktuale me të cilët përballet OSBE dhe nevojën e adresimit të tyre.

Bushati dhe Sekretari Greminger, diskutuan mbi zhvillimet në rajon dhe sfidat të cilat duhen adresuar, me synim shfrytëzimin e plotë të potencialit të organizatës në përballimin e tyre. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi vlerat e OSBE-së si organizatë rajonale me rëndësi specifike në botë, me një sistem të balancuar të angazhimeve politike, të bazuara në një koncept të sigurisë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, e cila ofron një platformë për tejkalimin e sfidave të sigurisë.