Në Parlamentin Europian u zhvillua debati midis gjashtë kandidatëve kryesorë për presidencën e Komisionit Evropian; Manfred Weber, Jan Zahradil, Nico Cue, Margrethe Vestager, Ska Keller dhe Frans Timmermans. Debati mes kandidatëve ishte simbolik më shumë se çdo herë tjetër, sepse me votimet e 26 majit, përbërja e Parlamentit mund të ndryshojë me hyrjen e sovranistëve. Çështja më e diskutueshme e debatit të gjashtë kandidatëve ishte emigracioni dhe sigurimi i kufijve.

Për kandidatin Manfred Weber, i cili konsiderohet si favorit pasi partia e tij konservatore, Partia Popullore Europiane kryeson sondazhet, nëse ai do të zgjidhej në krye të Komisionit Europian, do të propozonte krijimin e një lloj FBI të Bashkimit Evropian. Në lidhje me emigracionin Manfred Weber u shpreh se: “Ne duhet të rimarrim kontrollin e kufijve të Europës” dhe propozoi të vendoseshin menjëherë 10.000 agjentë të Frontex për të kontrolluar kufijtë.

Margrethe Vestager, një nga shtatë kandidatët e grupimit Liberal, po në lidhje me çështjen e azilantëve tha: Është e rëndësishme për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe mënyra për ta menaxhuar atë dhe për ta bërë të ligjshme. Ne duhet t’i ftojmë anëtarët e Këshillit të Europës që të na shpjegojnë përse nuk janë në gjendje të reformojnë të drejtën e azilit në Evropë, sepse për këtë çështje ekziston një krizë e vërtetë”.

Nico Cue, kandidati i grupimit të majtë europian tha se: “Për të majtën evropiane, emigrimi është një mundësi. Unë jam një shembull i gjallë për këtë. Nuk mund të flasim për pushtues. Pikërisht migrimi mund të ndihmojë në ringjalljen e Evropës”.

Për deputetin çek Jan Zahradil, kandidati kryesor i bllokut të qendrës së djathtë, “Problemi i emigracionit, nuk duhet që të rrisë hendekun mes vendeve të Europës lindore dhe Perëndimore”. Sipas tij: “Duhet të kërkojmë zgjidhje që respekton të drejtën sovrane të vendeve për të dhënë ose jo azil”. Ai u shpreh gjithashtu kundër trafikimit të qenieve njerëzore, krijimin e qëndrave pritëse jashtë BE si dhe nënshkrimin e marrveshjeve të riatdhesimit me vendet e tjera”.

Ska Keller, kandidatja gjermane e të Gjelbërve, natyrisht që foli për mjedisin: “Ne do të votojmë duke pasur parasysh të ardhmen e fëmijëve tanë, nipërve tanë, të rinjve që nuk mund të votojnë, por që na kanë dhënë një sinjal shumë të qartë: ata kanë dalë në rrugë në mijëra, në të gjithë Evropën, për të thënë se duan të mbrojnë planetin në të cilin jetojnë”.

Kriza e klasës së mesme ishte në qendër të fjalimit të kandidatit socialist. “Është e pakonceptueshme që kompanitë e mëdha të bëjnë miliarda euro fitime në Evropë pa paguar taksat. Ne duhet ta ndryshojmë këtë gjendje menjëherë dhe duhet të sigurohemi që të ardhurat e klasës së mesme të rriten shpejt” – tha Frans Timmermans, ish- ministër i Jashtëm i Holandës dhe zëvendëspresident i Komisionit Europian.

Shumica e grupeve politike në BE kanë zgjedhur të ashtuquajturin sistem i Kandidateve Kryesorë, në përpjekje për të rritur pjesëmarrjen e votuesve. Sipas këtij sistemi, kandidati kryesor që fiton më shumë vota, do të emërohet president i komisionit të BE, një nga pozicionet më të fuqishme në Bashkimin Evropian.

Pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane që do të mbahen më 26 maj mund të shohim një parlament shumë të fragmentuar evropian si dhe një rritje të partive euroskeptike. Aleancat tradicionale mund të mos jenë të mjaftueshme për të gjetur një shumicë dhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian mund të kërkojë kompromise me forcat e reja politike.